Featured Image

Gjeniu që ishte gjithnjë në kërkim të rinisë

Gjeniu i artit të pakufishëm, Salvador Dali lindi në 11 maj vitin 1904 në Figueras të Katalonjës. Shumë herët shpalosi talentin për të vizatuar, çka bëri të pranohej në Shkollën e Arteve të Bukura në Madrid, prej së cilës u dëbua për rebelim.

Në vitin 1929, gjatë një udhëtimi në Paris, ai u bashkua me grupin surrealist, të drejtuar nga Luis Buñuel, më pas iu kushtua pikturës dhe mori pjesë në ekspozita surrealiste në Francë dhe Shtetet e Bashkuara. Në 1939, Salvador Dali u përjashtua nga grupi surrealist nga udhëheqësi i tij, Andre Breton, pas mosmarrëveshjeve të shumta.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Dali dhe gruaja e tij, Gala, u vendosën në Shtetet e Bashkuara, deri në vitin 1948, ku krijimtaria e Dali është veçanërisht e çmuar në të gjitha fushat letrare, kinematografike dhe të pikturës. Në fakt, Salvador Dali është prodhimtar dhe gjatë gjithë jetës së tij do të përpiqet në forma të ndryshme artistike, si letërsia përmes shkrimit të kujtimeve, tablove dhe kostumeve të shfaqjeve, krijimit të bizhuterive…

Temat e preferuara krijuese janë ëndrrat, misticizmin etj. I njohur mbi të gjitha për çuditshmërinë e tij, ai dinte të fliste për të dhe artin e tij anembanë botës, madje duke rrezikuar ta hidhte atë edhe në sfond.

Disa nga pikturat e Salvador Dalisë bazohen në vijën bregdetare të qytetit Cadaques në Spanjën verilindore. Qielli, deti, shkëmbinjtë e Cadaques ishin shumë të dashur për Dalin, sepse aty kalonte kohën gjatë pushimeve me familjen. Madje, një herë u shpreh se ai kishte formësuar personalitetin e tij. Nëse hidhni një vështrim në pikturat e Dali dhe mandej vizitoni Cadaques, patjetër do të ndiheni sikur keni qenë në një nga pikturat e tij. Ishte shumë krijues dhe imagjinar, gjithmonë kërkonte mënyra të reja për të provokuar dhe përtërirë.

Ishte gjithmonë në kërkim të risisë! Një nga shpikjet e famshme të tij ishte “telefon-karavidhe”, absurde, por njerëzit e vlerësonin, pasi shprehej ndryshe nga zakonisht. Një tjetër veçanti e tij ishte “buzë-sofa”, po ashtu logoja e markës “Chupa Chups” u hartua nga Salvador Dali në vitin 1969.

“Surrealizmi, jam unë”, – u shpreh Salvador Dali, kur u prezantua në Nju Jork për të përcaktuar punën e tij. Personazh i çuditshëm, narcisit dhe megalomanit, ai është sigurisht një nga piktorët më të famshëm spanjollë të shekullit të 20-të. Dali pretendonte një teknikë shumë klasike, duke i qëndruar besnik pikturës së vajit për pothuajse të gjithë punën e tij. Krijimtaria e tij është shumë e detajuar, me vizatime përgatitore shumë të kujdesshme dhe një ekzekutim shumë të përpiktë, shpesh e parë me lupë.

Disa vepra të vogla japin dëshmi për një talent të vërtetë miniaturë, si portreti i parë i Galas, portret i Galas me dy kotëleta qengji të balancuara në shpatull etj. Në veprat e Dalisë përvijohen dy linja me tendencë thelbësore, nga njëra anë artisti interesohet gjithmonë e më shumë mbi dukuritë shkencore dhe teorinë e atomit, aq sa zhvillon konceptin e “pikturës atomike”, nga ana tjetër lindin vepra që trajtojnë tema fetare, si “Madona e Port Lligat”.

Dali ishte një piktor gjenial, njëkohësisht një njeri me një ego gjigante. Kishte një dëshirë për vëmendje, sa gjatë një periudhe qëndrimi në Nju Jork, kur shëtiste, mbante me vete një zilkë, të cilën e tringëllinte sa herë vërente se kalimtarët nuk po i kushtonin vëmendje të mjaftueshme. I pëlqente madhështia, të ishte i adhuruar dhe i njohur në mbarë botën, një megaloman i deklaruar, njëherazi një artist i papërsëritshëm me një stil krejtësisht të tijin.

Salvador Dali la pas një galeri prej afro 1500 pikturash, që sot e kësaj dite nxisin debate për nga tematika, stili dhe mesazhi që ato përcjellin. /konica.al/ KultPlus.com