Gjermania s’e konsideron më Kosovën si zonë rreziku për infektime

Gjermania s’e konsideron më Kosovën si zonë rreziku për infektime – Lajmet e fundit



Gjermania më nuk i klasifikon disa rajone, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe Austrinë, si zona me rrezik të lartë nga koronavirusi, ka thënë të premten instituti gjerman “Robert Koch” (RKI), që merret me sëmundjet infektive.

RKI ka listuar 19 vende dhe rajone që “më nuk konsiderohen zona rreziku”, duke iu falënderuar shkallëve të ulëta të infektimit, raporton DW-ja në gjuhën angleze.

Në mesin e vendeve që janë hequr nga lista e rrezikut për udhëtim janë Kosova, Mali i Zi, Maqedonia Veriore, Bosnjë e Hercegovina e Serbia nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, sikurse edhe Armenia, Austria, Azerbajxhani, Kanadaja, Qiproja, Libani, Moldavia, Ukraina e SHBA-ja, raporton Zeri.info.

Edhe disa rajone në Portugali, Norvegji, Kroaci e Zvicër më nuk konsiderohet rajone të rrezikshme nga Gjermania.

Udhëtarët që hyjnë në Gjermania përmes aeroplanit duhet të ofrojnë rezultat negativ për koronavirus, dëshmi të vaksinimit ose dëshmi të shërimit para nisjes së tyre, pavarësisht se a kanë qëndruar në zona rreziku, ka thënë RKI-ja.

Vendimi hyn në fuqi më 13 qershor.

Ndërkaq, Gjermania do të heqë paralajmërimin e përgjithshëm për udhëtime për rajone me rrezik që kanë incidencë nën 200 infektime në javë nga 1 korriku, ka thënë Ministria e Jashtme e këtij vendi.

“Në shumë vende, numri i infeksioneve po bie dhe vazhdimisht e më shumë qytetarë po vaksinohen. Pas shumë muajsh në izolim, presim me padurim kthimin në një normalitet më të madh, e kjo zbatohet edhe për udhëtim”, ka thënë ministri i Jashtëm, Heiko Maas.

Për këto të reja, ishte gazeta gjermane “Bild” që raportoi e para. /Zëri