Gjilani me 14 raste të reja me COVID-19, sot testohen edhe 67 mostra tjera

Gjilani me 14 raste të reja me COVID-19, sot testohen edhe 67 mostra tjera – Lajmet e fundit



Në komunën e Gjilanit, dje janë konfirmuar edhe 14 raste të reja me koronavirus duke çuar numrin e përgjithëshëm të të infektuarve në 26, raporton Zeri.Info.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri ka thënë se pavarësisht kësaj, nuk ka vend për shqetësim dhe se gjendja e pacientëve të infektuar është stabile.

Haziri, pas takimit me Komitetin për Emergjenca, në konferencën për media, ka paraqitur vlerësimin e gjendjes dhe menaxhimin e situatës përkundër që gjatë mbrëmjes janë konfirmuar 14 raste të reja në Gjilan.

“Ne arritëm që ta ulim lakoren e infeksionit gati në pikën zero, por burimi i fundit i infeksionit i ardhur nga një klinikë private në Prishtinë, ka bërë që një infermiere dhe lehonë të dalin me rezultat pozitiv dhe si pasoj të kemi edhe 14 infektuar në natën e mbrëmshme. Aktualisht kemi 26 raste active me Covid-19. Sot janë marrë mostrat edhe për 67 qytetarë të Gjilanit dhe rezultatet do të tregojnë pasqyrimin real të gjendjes”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

Haziri ka njoftuar se nënkryetari Arbër Ismajli dhe ekipi i gjerë i Qendrës Rajonale të Shëndetësisë Publike, kanë vizituar sot të gjitha rastet e prekura me këtë virus dhe konfirmojnë se gjendja e tyre është me simptoma të lehta.

Ai ka apeluar tek qytetarët që të vazhdojnë me masa mbrojtëse, duke bartur maska e dorëza dhe duke e ruajtur distancën me fokus maksimal në higjienë./Zëri