Gjini: Kurti duhet të gjejë forma bashkëpunimi me të gjithë aktorët për dialogun me Serbinë

Gjini: Kurti duhet të gjejë forma bashkëpunimi me të gjithë aktorët për dialogun me Serbinë – Lajmet e fundit



Ardian Gjini, zv. Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thotë se nisur nga fakti se qeveria “Kurti” nuk e ka prioritet dialogun me Serbinë, mund t’i sjellë pasoja Kosovës pasi në këtë mënyrë do të paraqitet e pa përgatitur në tryezë.

Në një intervistë për “Balkan Talks”, kreu i Komunës së Gjakovës shprehet se dialogu duhet marrë seriozisht nga qeveria dhe thekson se roli i AAK-së do të jetë “kontrollues” dhe jo pjesë direkte e procesit.

“Shpresa jonë si AAK është që qeveria të jetë sa më e përgatitur dhe sa me seriozitet ta marrë këtë çështje. Të gjejë forma bashkëpunimi me të gjithë aktorët në Kosovë në mënyrë që rezultati të jetë sa më i mirë për Kosovën”, deklaroi Gjini.

Ai tha qeveria “Kurti” nuk vuan nga njerëz të përgatitur, por kanë mungesë përvoje. “Shumica e tyre nuk kanë asnjë ditë punë në institucionet publike dhe shtetërore. Nëse mungon përvoja dhe vullneti atëherë mund të ketë diferenca serioze në dialog”, tha zv. kryetari i AAK-së.

Sipas tij “është e domosdoshme që kryeministri i Kosovës të ketë komunikim me liderët e opozitës” duke shtua se “kjo nuk duhet të shërbejë si mjet për të justifikuar veprime”.

“Opozita ka drojë se pushteti mund ta përdorë komunikimin me të për të justifikuar veprimet. Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë e plotë që i kanë dhënë qytetarët dhe atë që ia jep Kushtetuta si detyrim”, tha Gjini.

Ndërsa bën thirrje që qeveria të tregojë përkushtim, sipas tij sjella politike e opozitës karshi dialogut do të jetë konstruktive. Sipas tij, “Kurti duhet të vendosë linja të sinqerta dhe të qarta me opozitën”.

“Nuk është fare interes i opozitës që Kosova të dështojë,. Nuk është aspak interesi i AAK që në çfarë do mënyrë të ndikojë që Kosova të dështojë në dialog me Serbinë. Ne do të bëjmë çfarë që është e mundur që Kosova të ketë sukses pavarësisht se kush është në pushtet. Do të jemi njëlloj lupe për të kontrolluar çdo veprim të qeverisë dhe do të jemi kundërshtar serioz për çdo veprim që do ta konsiderojmë të dëmshëm për Kosovën”, përfundoi Gjini.