Gjoba dhe tërheqje nga tregu të pajisjeve që nuk plotësojnë kërkesat për sigurinë kibernetike

Gjoba dhe tërheqje nga tregu të pajisjeve që nuk plotësojnë kërkesat për sigurinë kibernetike

 

Pajisjet duhet të plotësojnë standardet informatike për të marrë një vulë miratimi dhe për t’u shitur në Bashkimin Europian

 

Të gjithë pajisjet dhe shërbimet e lidhura me internet, të shitura në Bashkimin Europian, duhet të plotësojnë kërkesa të reja për sigurinë kibernetike – kompanitë që nuk do të përshtaten, do të përballen me gjoba dhe madje edhe tërheqje të pajisjeve të tyre nga tregu.

Kjo është ajo çfarë parashikon drafti “Cyber resilience act”, i shqyrtuar nga Bloomberg, i cili do të publikohet pas disa ditësh.

Projektligji i Komisionit Europian, i njoftuar një vit më parë nga presidentja Ursula von der Leyen, synon të vendosë rregulla të përbashkëta në tregun e vetëm për sigurinë kibernetike të të gjithë produkteve dixhitale dhe shërbimeve të lidhura, duke përfshirë edhe ato që nuk mbulohen ende nga rregulla specifike.

Komisioneri i Tregut të Brendshëm, Thierry Breton, deklaroi se nevojitet “një qasje e përbashkët mbi standardet e sigurisë kibernetike të produkteve dhe shërbimeve” për t’u bërë ballë sulmeve të shumta dhe të sofistikuara kibernetike.

Pajisjet duhet të plotësojnë një seri standardesh informatike për të marrë një vulë miratimi dhe për t’u shitur në Bashkimin Europian. Pajisjet open-source ka të ngjarë të përjashtohen nga këto rregulla nëse nuk tregtohen.

 

Siguria kibernetike për të gjithë “Internet of things”

Pajisjet elektroshtëpiake, automobilat, telefonat inteligjentë, kompjuterët, orët, pajisjet mjekësore dhe shumë produkte të tjera janë të pajisura me sensorë dhe lidhje online.

Këto objekte të “Internet of things” (apo Internet of everything) mund të kenë “një nivel të ulët të sigurisë informatike, i reflektuar nga dobësitë e përhapura dhe ofrimi i pamjaftueshëm e jo i vazhdueshëm i përditësimeve të sigurisë për t’i zgjidhur ato”, si dhe u ofrojnë përdoruesve informacione të “pamjaftueshme” mbi nivelin e tyre të mbrojtjes” – sipas projektligjit, të shqyrtuar nga Bloomberg.

/ Corriere Comunicazioni