Gjykata Kushtetuese kërkon nga Thaçi dhe Kurti të mos i bëjnë presion në vendimmarrje

Gjykata Kushtetuese kërkon nga Thaçi dhe Kurti të mos i bëjnë presion në vendimmarrje – Lajmet e fundit



 

Gjykata Kushtetuese, përmes një reagimi dërguar mediave, ka kërkuar institucionet e vendit që të mos bëjnë ndërhyrje në pavarësinë e saj institucionale.

Në reagim, kjo Gjykatë ka thënë se po ndjekë me shqetësim diskursin publik “kërcënues” që po zhvillohet ditëve të fundit nga Presidenti dhe Kryeministri në detyrë, si dhe nga bartës tjerë të funksioneve institucionale dhe politike, të cilët, “duke akuzuar njëri-tjetrin për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese nga pala tjetër, po mundohen të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të Presidentit për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re”.

“Gjykata Kushtetuese e dënon ashpër këtë ndërhyrje në pavarësinë e vet institucionale, si dhe përpjekjen e akterëve politikë dhe institucionalë për të përfshirë Gjykatën Kushtetuese në debate politike ditore”, thotë Gjykata Kushtetuese.

Më tej, Kushtetuesja thotë se e dënon “po aq ashpër edhe përfoljen e gjyqtarëve individualë, si persona që kanë autorizime apo përgjegjësi vendimmarrëse individuale në këtë çështje”.

Gjykata Kushtetuese ua rikujton të gjithëve se vepron si tërësi, në bazë të dispozitave kushtetuese dhe ligjore që qeverisin vendimmarrjen e saj.

“Gjykata Kushtetuese siguron publikun se nuk do t’i nënshtrohet presioneve dhe kërcënimeve të tilla, dhe se nuk ka nevojë për mbrojtje politike apo publike nga askush, sepse Kushtetuta dhe ligji ia ofrojnë të gjitha garancitë e nevojshme për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe të paanshme. Në fund, Gjykata Kushtetuese fton të gjitha palët në procedurë që të përmbahen nga komentet dhe veprimet që synojnë të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, në këtë apo cilëndo çështje tjetër”, ka përfunduar reagimi i Gjykatës Kushtetuese.