“Hani i 2 Robertëve” – brend kulturor i Prishtinës, rebelim ndaj regjimit

“Hani i 2 Robertëve” – brend kulturor i Prishtinës, rebelim ndaj regjimit

Ata që ishin myshterinj të “Hanit të 2 Robertëve” nuk mësynin aty nga shtysa për menynë me haje e pije e as për të bjerrë kohën. Në fillimvitet ’90, nën menengenë e xhingoizmit serbomadh që po i zhvishte shqiptarët nga çdo e drejtë, një “bodrum” prej 60 metrash katrorë do të bëhej hapësira ku arti fliste me gjuhën e vet të lirë. I quajtur edhe si “strehimore urbane e kulturës”, përveç për artistë, ky mjedis do të bëhej shtëpia e dytë edhe për intelektualë, gazetarë e veprimtarë të kohës.

Nisma e Merita dhe Fadil Dragajt për “Hanin e 2 Robertëve” ishte thënë që të linte përgjithnjë vragën e saj në historinë e Prishtinës, por edhe të Kosovës. E tani nisma e tyre konsiston në kronikimin e kësaj historie nëpërmjet monografisë “Hani i 2 Robertëve 1989-2019, Arti i Rezistencës – Rezistenca e Artit”.

Po aq sa tridhjetë vjetët jubilarë prej themelimit, edhe ky botim, i mbështetur nga Ambasada e Zvicrës, kapërthen brenda faqeve të tij tridhjetë rrëfime artistësh, intelektualësh, gazetarësh e diplomatësh, që në vitet e paraluftës ishin “myshterinj” të rregullt të kësaj hapësire në kryeqytet.

“Si MoMA, si Café de Flore, si Willard Hotel…”

Një film i shkurtër dokumentar që narrativën kryesore e kishte gjuhën e atyre që e frekuentuan, ka shërbyer si prolog me rastin e promovimit të kësaj monografie pasditen e së enjtes në Amfiteatrin e Fakultetit të Arteve.

E fill pas tij është vijuar me një diskutim protagonistësh të “Hanit”, të cilët kanë evokuar përjetimet e tyre në atë që u bë si ledh ku mblidheshin e solidarizoheshin mes vete ata që përbënin mileun kulturor e intelektual të vendit.

Gati si e përbashkët e të gjitha rrëfimeve ishte që për ta “Hani i 2 Robertëve” sikur substituonte kafenenë e Rickut te filmi “Casablanca”, MoMA në New York, “Café de Flore” në Paris, “Willard Hotel” në Washington apo “Café Hawelka” në Vjenë.

Pas diskutimit dhe përurimit të monografisë, të pranishmit kanë mësyrë në ekspozitën “Memory To The Fallen Trees” të mbajtur në mjediset e Galerisë së Fakultetit të Arteve

Image

“Derisa ekziston arti do të ekzistojmë edhe ne”

Sipas atyre që kaluan e ishin pjesë e këtij qarku urban, “Hani…” ishte një mënyrë e të jetuarit me guxim, një rebelim institucional, por edhe një prej shtyllave të demokracisë.

“Ishte vendi ku optimizmi e zëvendësoi pesimizmin, ashtu siç ishte edhe vendi ku krijohej art dhe përmes kësaj vërtetohej se derisa ekziston arti do të ekzistojmë edhe ne”, është thënë në hapje të diskutimit.

Regjisori dhe aktori Enver Petrovci e ka cilësuar si tejet emocionale ribashkimin me ata që e frekuentonin “Hanin…”.

Tutje ai ka treguar se asokohe si drejtor i teatrit “Dodona” e frekuentonte këtë vend, ku edhe mbahej mësim pas mbylljes së Universitetit. “Aty mbaheshin edhe ekspozita të mira”, ka thënë Petrovci teksa ka kërkuar që kjo hapësirë të shndërrohet në muze. “Shteti do të duhej ta bënte atë muze e të quhej me po të njëjtin emër ‘Hani i 2 Robertëve’”, ka thënë Petrovci.

Haxhiu: “Pushtet i lirisë në 60 metra katrorë”

Kurse Baton Haxhiu, asokohe gazetar, ka thënë se Merita dhe Fail Dragaj janë heronjtë e atyre viteve tekqë krijuan një hapësirë të tillë “me një histori më vete”.

Sipas tij, “Hani…” është një guxim i pamundur, shije perfekte e kohës, rrëfim për lirinë dhe pushtet i lirisë në 60 metra katrorë.

“Nuk brengosem edhe aq pse të rinjtë nuk janë këtu për të dëgjuar këtë rrëfim, sepse as të vjetrit nuk e kanë përjetuar që të gjithë. Ky vend nuk di të shkruajë rrëfimin e lirisë së vet”, ka thënë Haxhiu.

Duke e krahasuar me të njëjtin rol me zyrën e ish-presidentit Rugova, ai ka vlerësuar se sot “Hani…” nuk mund të ekzistojë meqë, sipas tij, nuk ka pushtim. Por, ka vijuar ai, ky vend nuk do të duhej të hapej si kafe, por si muze.

“Nuk ka një institucion tjetër në vend që ta meritojë më shumë titullin e muzeut sesa ‘Hani i 2 Robertëve’”, ka shtuar Haxhiu.

Spahiu: “Aty ishte mendimi i Kosovës”

Në radhën e panelistëve edhe ish-gazetari dhe publicisti Avni Spahiu ka vlerësuar se “Hani…” ishte një lloj paradhome për të hyrë brenda atmosferës së asaj kohe.

Ai ka thënë se nga cilësia e diplomatit e kishte pranuar me kënaqësi ftesën e Merita dhe Fadil Dragajt për t’i bashkëndarë kujtimet e tij për këtë hapësirë.

“Në mungesë të ‘Hanit’ kjo monografi le të jetë si memorial për të”, ka thënë Spahiu.

Sipas tij, edhe në kohëra të pakohë, siç janë luftërat, disa objekte arrijnë të personalizohen e të bëhen pjesë e kohës dhe rezistencës.

“I tillë ishte ‘Hani’ që blendonte të gjitha profesionet e njerëzve, aty ishte i gjithë mendimi i Kosovës”, ka theksuar Spahiu.

Reka: “Aty nuk kishte gastronomi, por filozofi e debate”

Edhe ish-gazetari i asaj kohe, Blerim Reka, nëpërmjet evokimit të kujtimeve të tij ka vlerësuar se asnjë histori urbane e Prishtinës nuk mund të shkruhet pa e bërë një referencë për të.

“Kur flasim për ‘Hanin’ më së paku flasim për një objekt, i cili fundja ishte një bodrum i zakonshëm në Prishtinë”, ka thënë Reka. “Për të mund të flasim për historinë që u bë aty, për atë që më së paku kishte gastronomi e më shumti filozofi, debate e kuvendime”.

Sipas intelektualit nga Shkupi, në këtë “strehimore urbane kulturore” nuk mbaheshin vetëm ekspozita e promovime librash, “por zhvillohej edhe një diplomaci e paradiplomaci e kohës”.

“Në këtë vend vinin edhe ekspertë amerikanë që zhvilluan pjesën më të madhe të intervistave që shpërfaqën të vërtetën për aparteidin në Kosovë”, ka thënë Reka.

Image
Po aq sa tridhjetë vjetët jubilarë prej themelimit, edhe ky botim, kapërthen brenda faqeve të tij tridhjetë rrëfime artistësh, intelektualësh, gazetarësh e diplomatësh, që në vitet e paraluftës ishin “myshterinj” të rregullt të “Hanit…”

Prelvukaj: “Hani…duhet të bëhet muze”

Në vijim profesoresha dhe piktorja Zake Prelvukaj ka thënë se “Hani…” ishte një Kosovë e vogël ku njerëzit vendosën ta bënin rezistencën bashkërisht e jo individualisht.

Duke u rikthyer në kohë, ajo ka vlerësuar se ky vend ishte edhe një nxitje psikologjike për të gjithë ata krijues që merreshin me art.

“E vlerësonim njëri-tjetrin dhe aty krijohej art puro, ana digjitale nuk ekzistonte dhe vizatimi ishte tamam vizatim e piktura tamam pikturë”, ka thënë Prelvukaj. “Prandaj do të duhej që ky vend të bëhet një muze, sepse flet shumë për të gjithë”.

Teksa ka përsëritur të njëjtën kërkesë, ligjëruesi dhe piktori Mehmet Behluli ka thënë se si artistë qysh në atë kohë e përjetonin “Hanin…”si një muze.

“Ne e përjetonim atë si MoMA-n në New York apo si Tate Modern në Londër. E ndienim vetëm të plotësuar kur ishim aty”, ka thënë Behluli.

“Për artin si frymëzim”

Pas këtij diskutimi të pranishmit kanë mësyrë në ekspozitën “Memory To The Fallen Trees” të mbajtur në mjediset e Galerisë së Fakultetit të Arteve.

“Vendi ynë është i vogël dhe jo shumë i rëndësishëm për politikat globale. Ai ka shumë më shumë histori sesa mund ta ‘kapërdijë’ dhe kurrsesi nuk po mund të dalë nga transicioni i cili e përcjell vazhdimisht qe një kohë shumë të gjatë”, është thënë në përshkrimin kuratorial të kësaj ekspozite.

Kështu gjerdani artistik i saj është përplotësuar me vepra e punime të artistëve Driton Selmani, Lulzim Zeqiri, Rron Qena, Fitore Isufi-Koja, Jeton Gusia, Driton Hajredini e Jakup Ferri.

Kjo ekspozitë e “drunjve të rënë” është shkoqitur edhe si reflektim artistik për ndryshimin e shumëpritur që pasoi gjendjen e re të pasluftës.

“Gjenerata e artistëve bashkëkohorë, të cilët u formësuan dhe u rritën si artistë mu në kufi të vitit 1999 dhe më pas, kishin çka të thoshin në lidhje me shoqërinë, artin dhe politikën. Sigurisht që me mjete dhe shprehje artistike të cilat për ta ishin mjeti më i përshtatshëm që të ndriçohet një problem apo një tjetër! Ata frymëzimin e gjejnë në marrëdhëniet brenda shoqërisë ku jetojnë dhe veprojnë, si dhe në situatat ‘absurde’ në të cilat fatkeqësisht shoqëria kosovare e gjen veten më së miri”, është thënë, veç të tjerash, në rrëfyesin kuratorial të ekspozitës.