Hapet pavijoni i artit me vepra të ndryshme artistike të skulptorit Mikel Temo dhe artistes Anjeza Kolevica

Hapet pavijoni i artit me vepra të ndryshme artistike të skulptorit Mikel Temo dhe artistes Anjeza Kolevica

Në Tiranë është çelur pavijoni i artit me vepra të ndryshme artistike të skulptorit Mikel Temo dhe artistes Anjeza Kolevica.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti, gjatë vizitës u shpreh se “pavijoni i artit pranë Ministrisë së Kulturës u mbush me format e gravitetit shpirtëror të artistes Anjeza Kolevica”.“Një ekspozitë e kuruar nga skulptori Mikel Temo mbi bukurinë e krijimit dhe elementeve që përbëjnë qenien tonë: tokë edhe qiell, zjarr edhe ujë”, e cilësoi ekspozitën Margariti,  teksa bëri të ditur se “pavijoni i artit është i hapur, në pritje të zbulimit të një universi”.

Tokë – Zjarr – Ujë – Baltë janë pikërisht materialet bazë në krijimin e këtyre formave planetare, humane e sidomos femërore, forma të buta tërheqëse sensuale që presin të ngjizen deri në rilindje, në krijimin e një forme të re, një realiteti të ri, një dimensioni tjetër. Forma të një Spiritualiteti Gavitacional/Tërheqës.

Artistja Anjesa Kolevica, vjen nga një familje artistësh korçarë të njohur në fushën e qeramikës. Ajo ka mbaruar studimet e larta në Institutin e Arteve “Francesco Antonio Grue”, Itali, ku është diplomuar me titullin “Maestro d’Arte”, e specializuar në teknologjinë e qeramikës dhe të glazurave. E katërta në brez që trashëgon profesionin e familjes, artin e qeramikës. / KultPlus.com