Hapet seminari i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Kurti: Duhet të synojmë shkencën më të lartë të shqipes

Hapet Seminari i Gjuhës dhe Kulturës Shqipe, Kurti: Duhet të synojmë shkencën më të lartë të shqipes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në hapje të Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqipe, ka thënë se albanologjia është shkencë që drejton dijen shqiptare. Ai ka shtuar se duhet synuar shkencën më të lartë të shqipes, kudo që janë shqiptarët.

“Shkenca nuk është procedurë njohjeje por transformator i madh, dhe ajo është prodhues kulture. Sa më specifike është një shkencë aq më shumë përfshin në vete dijen, dhe në këtë pikë kam kuptuar se albanologjia është hulumtim i formave të të thënave. Ne duhet të synojmë shkencën më të lartë të shqipes dhe këtu mendohet mësimi i shqipes nga mësuesit tanë në mërgatë. Ne zotohemi për përpjekje maksimale dhe sukseset nuk do të na mungojnë”.

Edona Maloku, zëvendësministre e Arsimit shtoi se seminari bart më vete një traditë të gjatë, e që mbledh studiues e studentë nga vendet e ndryshme që trajtojnë dhe promovojnë gjuhën shqipe.

“Ky seminar bart më vete një traditë të gjatë, çdo herë mbledh me vete studiues e studentë që trajtojnë dhe promovojnë çështje të gjuhës dhe traditës shqiptare. Sivjet bie në sy gërshetimi i temave e që është trajtimi i lajmeve të rreme”, tha Maloku.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti potencoi se ky aktivitet është i rëndësisë së veçantë për kombin shqiptar.

“Dua t’i përgëzoj organizatorët dhe bashkëpunëtorët e tyre, për avancimin e vazhdueshëm të këtyre ngjarjeve të rëndësishme për tërë kombin. Seminari paraqet njërin ndër forumet më të rëndësishme. Që nga themelimi i tij ky aktivitet njihet për faktin se ka mbajtur gjatë interesin e të huajve për përvetësimin e gjuhës sonë”, deklaroi Sahiti.

Drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi, tha se ky edicion është organizuar në kohë rekord derisa shtoi se interesimi ka qenë shumë i madh.

“Vitin e kaluar jemi detyruar që ta shtyjmë mbajtjen e Seminarit, por pikërisht në atë kohë situata pandemike nuk la asnjë hapësirë, edhe sivjet vazhduam me të njëjtën këmbëngulësi. Edhe këtë herë Seminari u pa si traditë që në këto ditë na bashkon në këtë ngjarje më të rëndësishme me studimet albanologjike. Ky edicion është organizuar në kohë rekord”, tha Munishi./EO