Haradinaj: Kosova, ndër aleatët më besnikë të SHBA’së në Koalicionin Global kundër ISIS’it

Haradinaj: Kosova, ndër aleatët më besnikë të SHBA’së në Koalicionin Global kundër ISIS’it – Lajmet e fundit



Haradinaj po vazhdon vizitën në SHBA

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një takim me të dërguarin Special të Presidentit Trump në Koalicionin Global për mposhtjen e ISIS, Ambasadorin Jim Jeffrey.

Haradinaj ka deklaruar se Kosova është një prej shteteve më besnike të SHBA-së në Koalicionin Global kundër ISIS.

“Ne kemi ndarë fonde të konsiderueshme për Koalicionin Global, jemi storje e suksesit për riatdhesim dhe kemi shprehur gatishmërinë që aktivisht me të gjitha mekanizmat e sigurisë të jemi në krah me SHBA”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se ambasadori Jeffrey falënderoi Kosovën për rolin që kanë luajtur në sukseset e përbashkëta, dhe se është nder që Kosova pas shumë viteve të jetë eksportues i sigurisë, paqes dhe stabilitetit.

Haradinaj ka njoftuar se ambasadorit Jeffrey i ka dhuruar medaljen e Skënderbeut.

“Për angazhimin e tij prej shumë dekadash për lirinë e popullit dhe pavarësinë e Kosovës, për miqësinë dhe partneritetin strategjik me institucionet tona i dhurova Ambasadorit Jeffrey medaljen e Skënderbeut”, ka shkruar  Haradinaj.