Haradinaj-Stublla deklaron se Vuçiq nuk ka marrë leje për vizitën në Kosovë, e quan provokim politik

Haradinaj-Stublla deklaron se Vuçiq nuk ka marrë leje për vizitën në Kosovë, e quan provokim politik – Lajmet e fundit



Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk ka bërë kërkesë në Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi për të vizituar Kosovën.

“Bazuar në marrëveshjen për vizitat zyrtare e arritur në Dialogun e Brukselit më 14 nëntor 2014, zyrtarët serbë janë të detyruar që të bëjnë kërkesat me shkrim rreth vizitave të tyre në Republikën e Kosovës. Kërkesa duhet parashtruar në mënyrë të drejtpërdrejtë tek Zyra jonë Ndërlidhëse në Serbi, përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Pika 2/a e marrëveshjes e saktëson se për grupin e parë të zyrtarëve (që përbëhet nga presidenti, kryeministri, zëvendëskryeministrat, kryetari i kuvendit dhe ministrat e punëve të brendshme, punëve të jashtme dhe të mbrojtjes) kërkesa duhet të bëhet të paktën 72 orë përpara”, deklaron ajo përmes një postimi në Facebook, përcjell Zeri.info.

E gjithë kjo vizitë e Vuçiq Haradinaj-Stublla konsideron se janë provokim politik.

“Në javën kritike kur Kosova bën përpjekje për të ndërtuar unitetin politik e institucional për takimin trilateral me Serbinë në Washington, nën lidershipin e Shtëpisë së Bardhë, vizitat potenciale do të konsideroheshin si provokim politik dhe kundërproduktiv përpara nismës serioze e konkrete që partnerët ndërkombëtar kanë ndërmarrë”, tha ajo.

Haradinaj-Stublla shton se Kosova dhe resurset e saj natyrore janë pronë e Kosovës dhe qytetarëve të saj, e nuk do të bëhen asnjëherë plato e defilimeve provokuese për të tentuar avancimin e interesave që i përkasin shekullit të kaluar.

“Kosova mbetet e përkushtuar si palë konstruktive në avancimin e paqes, sigurisë, dhe stabilitetit në rajon”. /Zëri