Haradinaj: Veprimi që u la në gjysmë mbrëmë është humbje për Kosovën

Haradinaj: Veprimi që u la në gjysmë mbrëmë është humbje për Kosovën – Lajmet e fundit



Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kritikuar Qeverinë për shtyrjen e afatit për zbatimin e masës së reciprocitetit me Serbinë.

Haradinaj ka thënë se Kosova nuk e ka komoditetin të bëjë eksperimente, ndërsa shton se veprimi i lënë në gjysmë të rrugës, si ishte ai i mbrëmshmi, është humbje për Kosovën, transmeton Zeri.info.

“Kosova nuk e ka komoditetin të bëjë eksperimente. Operacionet e sigurisë për shtrirjen e sovranitetit, duhet të studiohen, të analizohen e të shpjegohen mirë. Çdo veprim i lënë në gjysmë të rrugës, siç ishte ai i mbrëmshmi, është humbje për Kosovën. Zbatimi i rendit dhe ligjit është i pa alternativë dhe duhet të bëhet në konsultim të ngushtë me aleatët e sigurisë”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka kërkurar që afati prej 30 ditësh për zbatimin e reciprocitetit duhet të shfrytëzohet me shumë seriozitet.

“Shteti i Kosovës nuk dobësohet vetëm nga bandat kriminale në veri, por edhe nga të paditurit e praktikantët në qeveri. Kushtetuta e vendit është më e fortë sesa kriminelët në veri, e të paditurit e praktikantët në qeveri”, ka shtuar ai.

Më tej Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria që të forcojë policinë, duke fotuar ligjin për paga, për sigurim shëndetësor e pensional.

“Qeveri, nëse hala je qeveri, voto ligjet e forcoje Policinë, ligjn për paga dhe ligjet për sigurim shëndetësor e pensional. Nëse s’je qeveri, do të shihet me 31 gusht”, shkruan Haradinaj në rrjetet sociale. /Zëri