Pas 8 rasteve të reja në Prizren, Haskuka: Akoma nuk ka kaluar rreziku!

Haskuka paralajmëron shtim të vizitorëve në Prizren, kërkon për kujdes të shtuar ndaj koronavirusit – Lajmet e fundit



Prizreni është ndër komunat që ka më së paku të infektuar në krahasim me numrin e banorëve, kështu ka thënë sot kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka.

Haskuka ka thënë se në fillim të pandemisë, Prizreni kishte numër të lartë të të infektuarve, ndërsa tani sipas statistikave në komunën e Prizrenit janë 4,5 infektime për 1000 banorë, transmeton Zeri.info.

“Tanimë janë bërë më shumë se shtatë muaj nga përhapja e pandemisë COVID-19. Edhe pse fillimisht Prizreni ka pasur numër të lartë të të infektuarve, tanimë është ndër komunat që ka më së paku infektive në krahasim me numrin e banorëve. Sipas statistikave të fundit, në komunën e Prizrenit janë 4,5 infektime për 1000 banorë, që nëse krahasojmë me komunat tjera të mëdha të Kosovës, është numri më i ulët”, ka shkruar Haskuka.

Ai ka thënë se me lehtësimin e masave që do bëhet ditëve në vazhdim, në Prizren do të ketë më shumë vizitorë, duke lutur qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë rekomandimet.

“Në ditët në vijim, me lehtësimin e masave, qyteti dhe komuna jonë do të ketë më shumë vizitorë, të cilët i kemi pritur shumë, prandaj gjatë ditëve të ardhshme duhet të jemi edhe më të përkushtuar në respektimin e masave”, tha Haskuka.

Kreu i Prizrenit tha se lokalet hoteliere, restorantet, kafenetë e bukëpjekësit duhet të jenë shembull të higjienës, pastërtisë, mbajtjes së maskave dhe të distancës, ndërsa kërkoi që punëtorët që kanë simptoma të COVID-19, duhet të marrin pushim dhe të izolohen.

Në raportimin ditor nga IKSHPK-ja, sot nuk është raportuar për asnjë rast me COVID-19 nga komuna e Prizrenit. /Zëri