Historianët e Deçanit i kërkojnë Komunës të mos e zbatojë vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit

Historianët e Deçanit i kërkojnë Komunës të mos e zbatojë vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit – Lajmet e fundit



Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka njoftuar Prokurorinë e Shtetit për moszbatimin e vendimit të saj në lidhje me tokën e Manastirit të Deçanit.

Ndaj kësaj ka reaguar përmes një njoftimi për media Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan.

“Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, reagon ndaj Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, e cila sot me anë të një shkrese ka njoftuar Prokurorinë e Shtetit të Kosovës, për mos zbatimin e vendimit anti kushtetuese dhe anti ligjor të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të majit të vitit 2016, vendim i cili njeh dhe legalizon vendimet e kohës së masave të dhunshme të kohës së Millosheviçit, në lidhje me pronat dhe Ndërmarrjet shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”, prona të cilat po mundohen të i falen padrejtësisht Manastirit të Deçanit, institucion i cili nuk i njeh institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, përmes kësaj letre ka njoftuar opinionin “se vendimi anti kushtetues dhe anti ligjor i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i majit 2016, është i bazuar krye e këput në ligjet e kohës së masave të dhunshme të kohës së Millosheviqit, vendime këto që edhe misioni i UNMIK-ut i ka shpallur null (të pazbatuar) dhe këto ligje i ka luftuar edhe bota e gjere demokratike”.

Ata kanë kërkuar nga Komuna e Deçanit dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës që të mos zbatohet ky vendim pasi sipas tyre me këtë vendim do të ngulfate zhvillimi ekonomik dhe përparimi para i qytetit të Deçanit dhe qytetarëve të saj.

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, ka kërkuar që Ndërmarrjet shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” të shpallën pasuri kombëtare e Kosovës, ngase në këto dy ndërmarrje do të hapen shumë vende të reja të punës.

“Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, thekson së nëse zbatohet vendimi anti ligjor dhe anti kushtetuese i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të majit 2016, për pronat dhe Ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria” në Deçan, me vendime të tilla shumë shpejte do të sfidohen institucionet e Kosovës, me kërkesat e kishave të tjera politike që ka ndërtuar regjimi gjenocidial i Millosheviçit, ku rast konkret është Kisha në kampusin (pronën) e Universitetit të Prishtinës, e cila po kërkon pronë sipas ligjeve të kohës së masave të dhunshme të kohës së viteve 1990-1999”, thuhet më tej në reagim. /Zëri