Hoti ambasadorit gjerman: Marrëveshja finale me Serbinë, vetëm për njohje reciproke

Hoti ambasadorit gjerman: Marrëveshja finale me Serbinë, vetëm për njohje reciproke – Lajmet e fundit



Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në takimin e mbajtur sot me ambasadorin e ri të Gjermanisë, Jorn Rohde është deklaruar për qëndrimin e prerë të Kosovës karshi arritjes së marrëveshjes me Serbinë.

“Sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, kryeministri Hoti ripohoi qëndrimin e prerë të Republikës së Kosovës se është koha për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare në mes të dy vendeve, e cila në thelb duhet të përmbajë njohjen reciproke”, thuhet në komunikatë, përcjell “Zeri.info”.

Hoti në këtë takim po ashtu e ka uruar ambasadorin e ri të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, për detyrën e re, duke theksuar se Gjermania mbetet një ndër partnerët kryesor strategjik të Kosovës.

Ai me këtë rast e ka falënderuar ambasadorin për ndihmën e përhershme që Gjermania i ka dhënë Kosovës.

Në anën tjetër ambasadori gjerman Rohde, sipas komunikatës nga zyra e Kryeministrit, ndër të tjera ka shprehur shpresën për një përparim të shpejtë në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë dhe ka theksuar se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përpjekjet për menaxhimin e pandemisë dhe të rimëkëmbjes ekonomike.

Siç thuhet në komunikatë, ai ka shtruar edhe mundësitë e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik në mes të kompanive private, duke pohuar gatishmërinë gjermane për investime në vendin tonë./Zëri