Hoti: Kosova asnjëherë nuk do të shndërrohet në shtet policor, jemi të obliguar të ruajmë jetën e qytetarëve

Hoti: Kosova asnjëherë nuk do të shndërrohet në shtet policor, jemi të obliguar të ruajmë jetën e qytetarëve – Lajmet e fundit



Kryeministri i vendit Avdullah Hoti ka deklaruar se sot së bashku me ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj, drejtorin e SHSKUK-së, Valbon Krasniqi dhe drejtorin e IKSHP-së, Naser Ramadani kanë vlerësuar situatën me koronavirus si dhe përgatitjet që duhet të ndërmarin në javët në vijim.

Hoti ka thënë se në javët në vijim duhet të krijojnë kapacitete shtesë me shtretër dhe staf shëndetësorë transmeton Zeri.info

“Është vlerësim i përgjithshëm se momentalisht (në mungesë të vaksinës) i vetmi shpëtim është zbatimi rigoroz i masave: maska, distanca, higjiena dhe evitimi i grumbullimit në masë të qytetarëve. Institucionet shëndetësore janë në maksimumin e kapaciteteve të tyre. Në javët në vijim duhet të krijojmë kapacitete shtesë me shtretër dhe staf shëndetësorë”, tha ai në një postim në Facebook.

Ai thotë se Kosova asnjëherë nu do të shndërrohet në shtet policor mirëpo sipas tij janë të obliguar që të ruajnë jetën e qytetarëve.

“Pas këtij diskutimi, me Ministrin Veliu, Drejtorin e Policisë, Kryeshefin e AVUK-ut dhe Drejtorin Ekzekutiv të Asociacioni të Komunave të Kosovës, kemi bërë konsultimet e nevojshme për punën e përbashkët në terren të policisë dhe inspektoratit në mbikëqyrje të masave. Kosova asnjëherë nuk do të shndërrohet në shtet policor, por jemi të obliguar që të ruajmë jetën e qytetarëve. Prandaj, policia dhe inspektorati do të zbatojnë ligjin ndaj atyre që nuk po i respektojnë masat”, ka potencuar Hoti.