Hoti thotë se në Prevallë qeveria u dakordua për tri çështje, nuk e përmend taksën

Hoti thotë se në Prevallë qeveria u dakordua për tri çështje, nuk e përmend taksën – Lajmet e fundit



Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, mblodhi sot kabinetin qeveritar bashkë me 15 ministrat që e përbëjnë kabinetin e tij në Prevallë. E në këtë mbledhje, zëvendës kryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, tregoi se u definuan tri çështje.

Bëhet fjalë për përmbylljen e programit qeverisës 2020 – 2023, diskutimin e problemeve që kanë gjetur në secilën ministri dhe dakordimin për masat e menjëhershme që duhet të ndërmerren.

“Sot ne Sharr, ne takim pune te Qeverise, definuam tri çeshtje:
1. Permbyllem Programin Qeverises 2020- 2023, qe eshte program ambicioz por realist,
2. Diskutuam problemet qe kemi gjetur ne secilen ministri, qe jane shqetesuese dhe ne shumicen e rasteve me pasoja fimanciare per shtetin dhe per qytetaret dhe
3. U dakorduam per masat e menjehershme qe duhet te ndërmarrim”, shkruan Hoti.

Të vetmit që folën pak më shumë rreth takimit që po zhvillohet ishin vartësit e Kurtit.

Zëvendëskryeministri i dytë i Kosovës, Haki Abazi tregoi se ministrat do të kenë mundësi të prezantojnë planet e tyre afatshkurtra dhe afatmesme të secili dikaster.

“Në pjesën e dytë të ditës do të dëgjojmë ministrat përsëri një nga një për prioritetet afatshkurtra, afatmesme që do të përcaktojnë gjithashtu planin veprues për javët në vazhdim”.

“Theks i veçantë është që përveç se ministrat tregojnë për prioritetet e tyre, gjithashtu do të shohim se ku janë pikat e bashkërendimit që duhet të ndodhin ndërmjet dy ministrive apo më shumë – që menjëherë të fillojmë me punën e koordinimit dhe çfarëdo ndihme që duhet të ketë secila ministri dhe secili ministër për të mos u vonuar në bashkërendimin e punëve që kërkojnë koordinimin e ministrive ndërmjet vete”.

E fuzionimi i ministrive sipas Abazit do të jetë një ndër sfidat e Qeverisë ngase sipas tij, duhet të bashkërendohen planet që ministritë kanë.

“Sigurisht që kemi shumë sfida me të cilat jemi duke u ballafaquar, por bashkërendimi i përbashkët besoj se shumë shpejtë do të arrihet në mënyrë që plani i punës të jetë i qartë, konkret dhe i cili do t’u prezantohet të gjithëve, edhe publikut edhe Kuvendit.

Haki Abazi mohoi se edhe çështja e reciprocitetit do të jetë temë diskutimi e kësaj mbledhje maratonike.

Ai tha se qeveritarët janë të fokusuar vetëm tek programi qeverisës.

“Absolutisht nuk ka asnjë gjë tjetër që është duke u diskutuar përveç kthimi i marrëveshjes së koalicionit në plan qeverisës dhe zbërthimi i saj në plan veprues dhe detyra e prioritete konkrete”.