Hyseni takon Palmerin, i kërkon prani të përhershme aktive të SHBA-së në dialogun në Bruksel

Hyseni takon Palmerin, i kërkon prani të përhershme aktive të SHBA-së në dialogun në Bruksel – Lajmet e fundit



Koordinatori për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, po qëndron në SHBA për vizitë zyrtare.

Gjatë ditës së sotme, ai tha të ketë zhvilluar një takim të gjatë dhe përmbajtësor me Zëvendës Asistent-Sekretarin  për Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, i cili ështe edhe Emisar Special amerikan për Ballkanin Perendimor.

Hyseni thotë ta ketë njoftuar Palmerin për rrjedhën e deritashme të dialogut në Bruksel.
“Me Zotin Palmer bëmë një bisedë të hapur dhe shterruese me qellim të koordinimit me synimin që dialogu të marrë një dinamikë të re duke shtruar, pa u vonuar dhe pa zvarritje, për diskutim dhe akordim çështjen kryesore, marrëveshjen gjithëperfshirëse për njohje reciproke dhe normalizim midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Hyseni në Facebook.
Duke konstatuar dhe theksuar se krahas BE-së, roli i SHBA-së në këtë proces është i pazëvendsueshëm, “me përunjësi i kërkova Zotit Palmer praninë e përhershme aktive të SHBA-së në tryezën e bisedimeve në Bruksel”.

“Pasi theksoi se SHBA çmojnë angazhimin konstruktiv të Qeverisë dhe të gjitha institucioneve Republikës së Kosovës në këtë process, Zoti Palmer theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkrahin dialogun në Bruksel duke shtuar se Amerika do të jetë me Ju përgjatë gjithë këtij procesi, në përkrahje të fuqishme për një marrëveshje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithpërfshirëse”, tha Hyseni t’i ketë thënë Palmeri.
Pas takimit me Mathew Palmer, poashtu Hyseni thotë ta ketë zhvilluar nje bisedë të gjatë me Ryan Tully, Drejtor i Lartë dhe Amanda R. Ahlers, Drejtore për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Biseda poashtu kishte në focus dialogun e rinisur në Bruksel por edhe zhvillimet e përgjithshme në Kosovë dhe rajon.