Infektohen mësues e nxënës, pandemia godet edhe arsimin në Kosovë por mësimi vazhdon

Infektohen mësues e nxënës, pandemia godet edhe arsimin në Kosovë por mësimi vazhdon – Lajmet e fundit



Pas dy javësh mbushet një vit që kur Kosova regjistroi rastin e parë të të infektuarve me COVID-19.

Nga ajo kohë, kanë humbur jetën 1.582 persona dhe mbi 67 mijë qytetarë u infektuan. Megjithatë, zyrtarisht situata vlerësohet nën kontroll.

“Kam kënaqësinë që nëpërmjet të dhënave të mbledhura nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës të ritheksoj se gjendja e pandemisë në vendin tonë është nën kontroll dhe nuk ka tendenca për alarm të asnjë lloj natyre që mund të paraqitet”, ka deklaruar  Armend Zemaj  Ministër i Shëndetësisë.

Në anën tjetër, një kabllogram i Ambasadës Amerikane dërguar Washingtonit ditë më parë dhe publikuar në mediat ndërkombëtare, ambasadori amerikan në Kosovë e përshkruan Kosovën si të rrënuar nga pandemia.

Vendimi për lirimin e masave u vendos pak para fushatës elektorale. Ndërkohë, sektori që vazhdon të mos përfillë masat anti-COVID është ai arsimor. Procesi mësimor vazhdon me kapacitete të përgjysmuara sipas planit A, B, C.

“Deri tash i kemi të regjistruar vetëm nëntë nxënës të infektuar me COVID-19, kurse numri i mësimdhënësve të infektuar ka qenë 11,” – u shpreh Ismet Ferizi, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Mitrovicë.

Pavarësisht numrit të mësuesve të prekur nga COVID-19, drejtorët e shkollave dhe koordinatorët e cilësisë, si ai në “Tefta Tashko” në Mitrovicë, deklarojnë se janë munduar ta menaxhojnë situatën.

Numri i të shëruarve deri më sot që nga fillimi i pandemisë në Kosovë është 58.919 persona, kurse numri i rasteve aktive është 6.968. Ndërkohë, Kosova nuk ndodhet askund me procesin e vaksinimit./euronews/