Inflacioni në SHBA bie gjatë muajit korrik, pas rënies së çmimeve të benzinës

Inflacioni në SHBA bie gjatë muajit korrik, pas rënies së çmimeve të benzinës

Çmimet në SHBA vazhduan të rriten me shpejtësi muajin e kaluar, por rënia e kostove të benzinës ndihmoi në uljen e ritmit të inflacionit.

Norma vjetore e inflacionit, ritmi me të cilin rriten çmimet, ishte 8.5% në muajin korrik, duke pësuar kështu një ulje nga muaji qershori kur ai u rrit deri në 9.1%, sipas Departamentit të Punës.

Përveç energjisë, kostot për shumë artikuj, duke përfshirë produktet ushqimore dhe banesat, vazhduan të rriteshin.

Kostot e larta kanë bërë që shumë familje të futen në vështirësi ekonomike, si dhe kanë pasur një ndikim madhor në ekonominë e SHBA-së.

Rritja e numrit të vendeve të punës mbetet e lartë, por disa tregues të tjerë, të tillë si besimi i konsumatorëve dhe i bizneseve, kanë pësuar rënie për shkak të shqetësimeve për rritjen e çmimeve, e cila po ndodh me ritmin më të shpejtë që nga fillimi i viteve 1980.

Përgjatë 12 muajve të fundit, çmimet për produktet ushqimore në SHBA janë rritur me 13.1%, rritja më e madhe vjetore që nga viti 1979. Rritja e çmimit të kafesë bëri që këto kosto të shtoheshin akoma më shumë gjatë muajit korrik, duke u rritur me 3.5% krahasuar me qershorin.

Çmimet e banesave, të kujdesit mjekësor dhe të rekreacionit pësuan gjithashtu rritje krahasuar me muajin qershor, por këto rritje u kompensuan nga rënia e ҫmimeve për artikuj të tillë si makinat e përdorura, biletat e avionëve dhe veshjet.

Çmimet e benzinës ranë me 7.7% krahasuar me muajin qershor, kur çmimet kishin arritur një nivel rekord prej më shumë se 5 dollarë për gallon, mesatarisht.

Në përgjithësi, raporti ishte më i mirë nga sa prisnin shumë analistë.

“Kjo akoma nuk tregon rënien domethënëse të inflacionit që kërkon të arrijë banka qendrore e SHBA-së. Por, është fillimi drejt kësaj rruge. Ne presim të shohim shenja më të dukshme të lehtësimit të presioneve të çmimeve gjatë muajve të ardhshëm,” tha Paul Ashworth, kryeekonomist për SHBA në Capital Economics.

Çmimet në SHBA janë rritur me shpejtësi që nga viti i kaluar, të nxitura nga shumë faktorë, duke përfshirë edhe kërkesën e shtuar nga konsumatorët, shpenzimet e të cilëve u mbështetën nga ndihmat për Covid-19 që ofroi qeveria.

Në të njëjtën kohë, izolimet e vendosura në Kinë për shkak të pandemisë, lufta në Ukrainë dhe disa çështje të tjera kanë vështirësuar furnizimet me mallra, duke përfshirë edhe produktet e nevojshme si nafta dhe gruri.

Banka qendrore e SHBA ka rritur normat e interesit që nga muaji mars, në përpjekje për të stabilizuar çmimet.

Rritja e normave të interesit është një nga mënyrat për të kontrolluar inflacionin, pasi e bën më të shtrenjtë huamarrjen, duke inkurajuar njerëzit që të marrin më pak hua dhe që të reduktojnë shpenzimet. Kështu fillon ulja e kërkesës, e cila nxit rritjen e çmimeve.

Por, duke qenë se normat më të larta të interesit reduktojnë aktivitetin ekonomik, banka rrezikon që ta fusë ekonominë në recesion. Muajin e kaluar, Departamenti Amerikan i Tregtisë raportoi se ekonomia pësoi rënie në periudhën prill-qershor, e cila shënoi tremujorin e dytë radhazi me rënie ekonomike.

Pritshmëritë për rënien ekonomike në SHBA dhe në vende të tjera janë një nga arsyet pse çmimet e naftës janë ulur gjatë javëve të fundit, duke sjellë kështu rënien e kostove të benzinës për konsumatorët.

Silvia Dall’Angelo, ekonomiste në Federated Hermes, tha se ajo priste që kërkesa të reduktohej akoma më shumë në muajt e ardhshëm, pasi rritja e normave të interesit nga banka qendrore e dha efektin e saj dhe çmimet e larta i bënë konsumatorët që të reduktonin shpenzimet e tyre.

“Kjo, së bashku me stabilizimin e çmimeve të energjisë dhe lehtësimin gradual të kufizimeve të ofertës globale, duhet të ulë inflacionin më shpejt gjatë vitit të ardhshëm,” tha ajo.

Por, ajo shtoi: “Megjithëse Fed do të gjejë njëfarë ngushëllimi te raporti i sotëm i inflacionit, lufta kundër inflacionit të lartë nuk ka përfunduar ende”./ BBC