Institucionet kulturore me aktivitete sporadike për Pavarësi

Institucionet kulturore me aktivitete sporadike për Pavarësi

Prishtinë, 14 shkurt – Institucionet e kulturës as sivjet nuk do të sjellim diçka të veçantë për përvjetorin e Pavarësisë. Disa prej tyre do të reprizojnë aktivitetet e mëhershme. E të tjerat nuk do të jenë aktive.

Vetëm Muzeu Kombëtar i Kosovës më 17 shkurt, në përvjetorin e 12-të të Pavarësisë së Kosovës, do të ketë dy ngjarje enkas për këtë ditë. Institucioni më i lartë muzeor nuk do të pushojë në ditën që është pushim zyrtar, siç ka ndodhur shpesh viteve të kaluara. E mbyllur siç ka qenë gjithnjë nuk do të jetë as Galeria Kombëtare e Kosovës. Pasi është pyetur nga gazeta, menaxhmenti i këtij institucioni ka vendosur që GKK-ja të jetë e hapur duke u krijuar mundësinë vizitorëve që ta shohin ekspozitën “Onufri Remade”.

Të mërkurën, në mbledhjen e Qeverisë janë emëruar anëtarët e Grupit punues për koordinimin e aktiviteteve për shënimin e 12-të vjetorit të Pavarësisë. Zëvendëskryeministri i dytë, Haki Abazi, kryesues, e ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ajo e Pushtetit Lokal, Emilija Rexhepi, e ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, janë anëtarë. Gazeta të enjten i ka adresuar pyetje Zyrës së Kryeministrit dhe ministres Dumoshi për agjendën e aktiviteteve, por asnjëra palë nuk ka kthyer përgjigje.

Filarmonia e Kosovës është institucioni kulturor që në krahasim me të tjerat ka qenë më e angazhuara në festimin e Ditës së Pavarësisë. Por sivjet gjërat kanë ndërruar. Nuk do të ketë koncert solemn.

“Koncertet mbahen me kërkesë të Qeverisë ose të Presidencës. Deri sot nuk kemi marrë kërkesë që të organizojmë ndonjë koncert”, ka thënë Baki Jashari të enjten.

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës brenda pak orëve do të mbahen tri ngjarje. Në orën 17:00 do të jepet shfaqja e baletit “Ngjyrat e vallëzimit” me koreografi të Mehmet Ballkanit. Protokolli i shtetit i ka kërkuar baletit që të propozojë një shfaqje e ajo do të jetë produksion i vitit 2015. Pas saj, skena do t’i përgatitet dramës “Bryma e vdekjes” me tekst të Milazim Krasniqit, nën regji të Burbuqe Berishës. Produksioni i TKK-së që është dhënë premierë në prill të vitit të kaluar.

Galeria Kombëtare e Kosovës vazhdimisht ka qenë e mbyllur gjatë Ditës së Pavarësisë. Pasi që gazeta të enjten e ka pyetur menaxhmentin e këtij institucioni nëse do të ketë ndonjë aktivitet të veçantë për shënimin e 17 Shkurtit, është vendosur që GKK-ja të jetë e hapur.

Sa i përket qasjes ndaj Ditës së Pavarësisë, hapa pozitivë ka bërë Muzeu Kombëtar i Kosovës. Në ditën kur shumë qytetarë ia mësyjnë kryeqytetit për të festuar, zakonisht MKK-ja ka qenë mbyllur.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, ka thënë se në bashkëpunim me Agjencinë e Arkivave të Kosovës do të hapin një ekspozitë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)