Ironia me përditshmërinë në ekranin online të “DokuFestit”

Ironia me përditshmërinë në ekranin online të “DokuFestit”

Yllka Leti me delikatesë vendos ngjyrën mbi pëlhurën e bardhë. Ajo është e zonja në art. “Jam piktorja më e mirë”, thotë në filmin “65 Roses”, që dokumenton jetën e saj. Mirëpo, aftësitë e saj në pikturim janë vetëm një anë e portretizimit të artistes.

Filmi i realizuar në vitin 2019, nën regji të Murat Zherkës, ka në fokus një anë tjetër të personazhit. Vë në pah fuqinë e 11-vjeçares dhe vullnetin për të jetuar dhe mposhtur sëmundjen të cilën e ka, fibrozën cistike. Plotësisht e kundërt është natyra e fermerit që portretizohet nga Afrim Muqaj te filmi “Farmer’s Blues”, nën regji të Ibër Dearit. Dëshpërimi i fermerit është ai që reflektohet në filmin 14-minutësh të regjisorit nga Komanova.