Ish-ministri i Financave thotë se Qeveria po vepron si të jetë armike e qytetarëve

Ish-ministri i Financave thotë se Qeveria po vepron si të jetë armike e qytetarëve – Lajmet e fundit



Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, konsideron se mosinvestimet në energji do të sjellin pasoja të rënda për ekonominë vendëse.

Në një intervistë, Shatri adreson kritika në drejtim të Qeverisë, për mënyrën sesi i është qasur krizës energjetike, për të cilën thotë se do të ketë ndikim negativ në ekonomi.

Duke folur për mungesën e energjisë, thotë se e njëjta sjell pengesa në zhvillim, si dhe rrit papunësinë dhe varfërinë.

“Energjia, përveçqë është faktor kyç në standardin jetësor, por në aspektin e përgjithshëm, energjia është një prej tre faktorëve kyçë në prodhimtari, që i bie në zhvillim ekonomik. Energjia, lënda e parë dhe fuqia punëtore, këto janë tre faktorë të zhvillimit ekonomik”.

“Mungesa sjell pengesa në zhvillim, dështim në realizimin e zhvillimit ekonomik. Dështimi në zhvillim e rrit varfërinë, e rrit papunësinë e varfëron popullsinë dhe e kthen në pjesë të popullsisë që konsiderohet e mesme i lëshon një gradë më poshtë sa i përket gjendjes ekonomike”, u shpreh Shatri.

Kritika ka pasur edhe për shumën e mjeteve që vazhdojnë të qëndrojnë në llogarinë bankare të Qeverisë. Thotë se mosqarkullimi i atyre mjeteve është dështim.

Ai ka akuzuar qeverinë “Kurti” për mënyrën sesi është duke qeverisur, për të cilën thotë se ngjason sikur “Kosova të qeverisët nga armiku”.

“Stoku i mjeteve monetare të domosdoshme me qëndruar si rezervë është i përcaktuar me ligj për buxhetin dhe ai duhet të respektohet sepse e garanton stabilitetin buxhetor, por në raportin e gjashtëmujorit, të ecurive buxhetore shohim që në stokun e mjeteve që ruhen në BQK, këto mjete janë dyfishuar. Mosfutja e parave në funksion nuk është ndonjë ekonomizim i mençur, por është dështim. Pjesët tjera të parave publike që janë të parapara për investime kapitale, duhet menjëherë të hyjnë në funksion”, u shpreh ai.

“Është shqetësuese që kjo Qeveri në pjesën e investimeve kapitale është duke dështuar, është sikur ta ketë armiku Qeverinë në dorë e jo njerëzit tanë të zgjedhur me votë. 200 milionë kanë dështuar vitin e kaluar në kategorinë e investimeve kapitale, këtë vit është thelluar si problem ku sipas raportit është vetëm 11 për qind e shumës vjetore të parapara për investime kapitale është realizuar deri më tani”, tha Shatri për EO-në.