Ishulli i Sardenjës, në flakë - Italia i kërkon ndihmë Europës për avionë zjarrfikës

Ishulli i Sardenjës, në flakë – Italia i kërkon ndihmë Europës për avionë zjarrfikës

Italia i ka kërkuar shteteve europiane që të dërgojnë avionë zjarrfikës për të ndihmuar në ndalimin e zjarreve që kanë përpirë pjesë të ishullit të Sardenjës, ç’ka ka sjellë evakuimin e qindra njerëzve. Ministri i Jashtëm në Itali, Luigi Di Maio, shkroi në Facebook se autoriteti i mbrojtjtes civile në vend ka bërë kërkesën dhe shtoi se është mirënjohës për ndihmën që është dërguar deri më tani.  “Dy avionë janë rrugës nga Franca, që i falenderoj zyrtarisht”- tha di Maio.

Zjarret kanë përfshirë provincën Oristani në zonën perëndimore të ishullit italian, duke djegur mijëra hektarë tokë dhe dëmtuar prona.  Nuk ka patur ndonjë raportim të vdekjeve apo dëmtimeve serioze, po agjencia e lajmeve ANSA theksoi se 400 njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.  Autoriteti i mbrojtjtes civile tha se 7 avionë të Canadair, janë përdorur për të mbushur ujë që t’ia hedhin zjarreve në Oristano.

Erërat e nxehta drejt Jugut kanë vështirësuar përpjekjen e autoriteteve.  Presidenti i rajonit të Sardenjës, Christian Solinas, i përshkroi zjarret si një katastrofë të jashtëzakonshme. Ai shtoi se nuk është e mundur që të përcaktohet i gjithë dëmi, por tha se i ka kërkuar Kryeministrit Mario Darghi që të alokojë fonde të rimëkëmbjes për projekte të ripyllëzimit.

Klevis Llaha / SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.