Ismaili: Demonstrimi i sotëm i forcës në zyrat e OVL-UÇK i panevojshëm

Ismaili: Demonstrimi i sotëm i forcës në zyrat e OVL-UÇK i panevojshëm – Lajmet e fundit



Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili thotë se demonstrimi i sotëm i forcës në zyrat e OVL-UÇK-së është i panevojshëm. Sipas tij Kosova është shembulli i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare ka reaguar ndaj zhvillimeve të ditës së sotme të arrestimeve dhe bastisjeve në zyrat e OVL të UÇK-së.

“Pamjet e sotme të arrestimeve dhe bastisjeve në Organizatën e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për fat të keq, kthejnë prapa kujtesën e kohëve më të padëshiruara.

Vrazhdësia e shfaqjes së njësive të armatosura është simbol i represionit. E në Kosovë, represioni ringjall vuajtjen dhe traumën e rëndë të së kaluarës që ka përjetuar populli i Kosovës, secila familje, secili qytetar. Demonstrimi i sotëm ka qenë tërësisht i panevojshëm. Nuk ka nevojë të provokohet nga askush dhe për asnjë qëllim kjo traditë e bashkëpunimit, e cila duhet të mbetet gjithnjë e tillë. Kosova ka qenë dhe mbetet shembull i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare, dhe ky është një fakt i njohur botërisht.”, ka theksuar ai.

Deputeti i PDK-së bënë thirrje që Qeveria dhe institucionet përgjegjëse ta njoftojnë opinionin publik për këto zhvillime, pasi qytetarët kanë nevojë për qartësi. /Zëri