Jasharajt i përkeqësohet gjendja shëndetësore, thotë se ndikuan fyerjet e linçimet

Jasharajt i përkeqësohet gjendja shëndetësore, thotë se ndikuan fyerjet e linçimet – Lajmet e fundit



Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka bërë të ditur se i është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe se kjo është arsyeja për mospjesëmarrje në Komisionin Parlamentar, ku kanë raportuar SBASHK-u, ministri Hekuran Murati e ministrja Arbërie Nagavci.

Ai ka thënë se gjendja shëndetësore i është keqësuar si shkak i fyerjeve dhe linçimeve, që sipas tij po i bëhen nga pushteti.

“Në shëndetin tim kanë ndikuar edhe fyerjet dhe linçimet që po më bëhen. Unë i thashë edhe kryetarit që të mos ia japë fjalën Dimal Bashës, që është nxënës i dobët, siç shihet nga notat e tij, por si duket partia në pushtet e kishte dërguar që ta minojë angazhimin që e kemi bërë në atë komision. Edhe kjo ndikoi pak. Edhe në atë takim kam qenë keq me shëndet”, është shprehur Jasharaj për Klankosova.

Tutje, ai i bëri thirrje Qeverisë që të mos e ulë nivelin poshtë, teksa i bëri thirrje edhe vetë kryeministrit Albin Kurti që ta mbrojë arsimin nga njerëz, siç i quajti ai, me nota 2 e që po e sulmojnë arsimin, duke aluduar kështu në deputetin e LVV-së, Dimal Basha.

“Asnjë qeveri deri më tani s’ka bërë kaq shumë sulme ndaj SBASHK-ut. Është turp i qeverisë që e lejon Dimalin të na quajnë analfabetë”, është shprehur Jasharaj për Klankosova.tv.