Javën e ardhshme, Kurtin e pret Stoltenbergu në takim

Javën e ardhshme, Kurtin e pret Stoltenbergu në takim – Lajmet e fundit



Të mërkurën e javës së ardhme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sipas njoftimit zyrtar të NATO-s, thuhet se dyshja pas takimit do të mbajnë një konferencë të përbashkët në selinë e NATO-s.

“Të mërkurën, më 17 gusht 2022, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, zotëri Jens Stoltenberg, do të pranojë zotëri Albin Kurtin. Sekretari i Përgjithshëm dhe Zotëri Kurti do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media në Selinë e NATO-s pas takimit të tyre”, thuhet në njoftimin për media të NATO-s, raporton Zeri.info.

Konferenca pritet të mbahet në orën 17:00, e cila do të transmetohet edhe drejtpërdrejtë në ueb-faqen e NATO-s.

Kujtojmë se pas ngjarjeve të fundit në veri të vendit, shefi i NATO-s ka biseduar me Kurtin, por edhe me presidentin e Serbisë, Vuçiqin, ku në të dy rastet ka deklaruar se NATO-ja është e gatshme të ndërhyjë nëse rrezikohet siguria në Kosovë. /Zëri