Johny Depp për herë të parë pas 25 vitesh si regjisor me ”Modigliani”

Johny Depp për herë të parë pas 25 vitesh si regjisor me ”Modigliani”

Johnny Depp do të drejtojë filmin e tij të parë pas 25 vitesh karrierë, ndërkohë që edhe Al Pacino do të jetë bashkëprodhues në filmin biografik “Modigliani”, sipas ”The Hollywood Reporter”.

Një çerek shekulli pas bashkëpunimit me Marlon Brando në filmin ”The Brave” të vitit 1997, në debutimin e tij artistik si regjisor, Depp do të jetë prapa kamerës për të na treguar për piktorin italian Amedeo Modigliani.

Bazuar në shfaqjen e Dennis McIntyre dhe përshtatur për ekranin nga Jerzy dhe Mary Kromolowski, filmi do të tregojë historinë e piktorit dhe skulptorit në Paris gjatë viteve  ’20 të shekullit të kaluar.

Prodhimi i filmit do të fillojë në Evropë në pranverën e vitit 2023 dhe emrat e aktorëve do të zbulohen së shpejti.

“Saga e jetës së Modiglianit është ajo që është dhe unë jam jashtëzakonisht i nderuar dhe me të vërtetë i përulur ta sjell në ekran”, tha Depp.

”Ishte një jetë me vështirësi të mëdha, por me një triumf eventual – një histori universale njerëzore me të cilën mund të identifikohen të gjithë shikuesit”, theksoi ai.

Edhe pse ai është më i njohur për rolet e tij në ekran, Depp ka prodhuar 10 filma duke përfshirë ”Hugo” të vitit 2011 dhe së fundmi ”Crock of Gold” të vitit 2020./ atsh / KultPlus.com