Jusuf Buxhovit i dorëzohet çmimi "Guximi intelektual"

Jusuf Buxhovit i dorëzohet çmimi “Guximi intelektual”

Shoqata e Intelektualëve “Jakova” ka ndarë mbrëmë titullin “Guximi intelektual” për vitin 2021 për shkrimtarin dhe historianin, Jusuf Buxhovin.

Me rastin e marrjes së këtij çmimi, Buxhovi është shprehur i nderuar duke konsideruar se ky çmim ka rëndësi pasi që është i vetmi i llojit të tillë në Kosovë, kur intelektualët kritik janë gjithnjë e më ta paktë, më të anatemuar deri në linçim publik.

“Çmimi vjetor “Guximi intelektual” është i vetmi i llojit të tillë në Kosovë në rrethanat kur intelektualët kritik janë gjithnjë e më të paktë, gjithnjë e më të anatemuar deri në linçim publik, ndërkohë që shtohet numri i atyre që përgjegjësinë intelektuale dhe intelektualitetin e zëvendësojnë me kthimin në shërbëtorë të politikës ditore për përfitime personale! Ndaj edhe dorëzimin e çmimit nga kryetari i shoqatës “Jakova”, Ruzhdi Sefa, e konsideroj jo vetëm një mirënjohje të çmueshme veprimtarisë sime letrare dhe shkencore, por edhe një nxitje që kjo rrugë të vazhdohet në planin e kauzitetit shoqëror në përputhje me maksimën e njohur të filozofit francez Morin, se intelektualët mbajnë përgjegjësi jo vetëm për atë që ka ndodhë e nuk është dashtë të ndodhë, por edhe për atë që është dashtë të ndodhë dhe nuk ka ndodhë”, shkruan Buxhovi. / KultPlus.com