Kalabria turistike, jo vetëm një parajsë gangsterësh

Kalabria turistike, jo vetëm një parajsë gangsterësh

Më e famshme për krimin e organizuar se për kulturën, rajoni i Italisë jugore nuk është një destinacion shumë popullor për turistët.

Por rritja e kërkesës së turizmit të ngadaltë dhe eksperimental mund t’i ndryshojë gjërat.

Në plazhin e Badolato Marina, përgjatë brigjeve të Jonit të Kalabrisë, Mario Gallelli po përgatit plazhin e tij për verën.

Është një mëngjes e premte me diell dhe një grup nxënësish, të udhëhequr nga mësuesit e tyre, po mbledhin mbeturinat nga plazhi i zbrazët me qese plehrash.

Plazhi Badolato Marina

Edhe pse reputacioni i Kalabrisë, rajoni më jugor i Italisë, është njollosur prej kohësh nga organizatat e krimit të organizuar, ajo mbetet një nga destinacionet më pak të vizituara të vendit nga udhëtarët ndërkombëtarë.

Sipas një kërkimi të Demoskopika, në vitin 2019, Kalabrinë e vizituan 1.9 milionë turistë, nga të cilët 20% të huaj.

Bëhet fjalë për vetëm 0.5% të 65 milionë turistëve të huaj që vizituan Italinë në të njëjtin vit.

E megjithatë, me thuajse 800 kilometra plazhe të mrekullueshme, parqe kombëtare të harlisura, fshatra historikë mbresëlënës dhe rrënoja të lashta, për të mos përmendur kuzhinën e pasur dhe larmishmërinë kulturore befasuese – Kalabrisë sigurisht nuk i mungojnë vendet e bukura.

 

Nga sfidë në mundësi

“Sot turistët kërkojnë pushime më të veçanta dhe u kushtojnë rëndësi burimeve lokale si bujqësisë, ushqimit dhe gjithçka që mund të ofrojë komuniteti.

Duan ta njohin vendin që vizitojnë – thotë Tullio Romita, i cili drejton programin e diplomës për Turizëm të Universitetit të Kalabrisë.

– Kjo përfaqëson një mundësi të madhe për rritje, mbi të gjitha në Kalabri”. Enti turistik rajonal po përpiqet të zhvillojë një strategji turistike, që të jetë sa e qëndrueshme, por të tregojë edhe kulturën kalabreze.

“Ne kemi një trashëgimi unike, me gjëra që ekzistojnë këtu dhe askund tjetër”, thotë këshilltari rajonal i punës, zhvillimit ekonomik dhe turizmit, Fausto Orsomarso. Terra dei Padri, që do të thotë Toka e Etërve, është një projekt që nxjerr në pah historinë e rajonit, duke shfrytëzuar fenomenin në rritje të turizmit të traditave.

Ky fenomen sheh pasardhësit e emigrantëve që kthehen në atdheun e familjes së tyre.

“Nga 50-60 milionë pasardhës italianësh të vlerësuar në mbarë botën, shumë prej tyre janë kalabrezë, – thotë profesori Romita. – Ata duan të ndihen pjesë e komunitetit dhe të rindërtojnë një pjesë të humbur të identitetit”.

 

Minoriteti shqiptar

Puhëriu

Diku tjetër, qytetarët kanë shfrytëzuar më së miri burimet lokale dhe pikturuar historinë e vendit në një dritë të re. Në qytetin panoramik të Puhëriut (Pallagorio), një nga rajonet e shumta ku në shekullin XV u vendosën komunitetet shqiptare në arrati nga turqit, të njohur si Arbëreshë, ndodhet zyra e Instaruga.

Ajo lidh operatorët e vegjël turistikë lokalë me agjencitë e mëdha të udhëtimit, kompanitë turistike dhe shitësit, veçanërisht në Gjermani dhe Francë, duke i ndihmuar të arrijnë një treg më të gjerë, shpjegon bashkëthemeluesi, Fabio Spadafora.

Një nga përvojat më të vlerësuara të Instaruga është turi Arbëria, i cili ndërthur ushqimin, kulturën dhe traditat e minoritetit shqipfolës në qytetet e Puhëriut, Karficit dhe Shën Kollit. Ndër të tjera, ai u jep njerëzve mundësinë të shohin vallen popullore arbëreshe, të shijojnë kuzhinën arbëreshe dhe të mësojnë për kostumet tradicionale.

 

Të njohësh Kalabrinë e vërtetë

Mes pallateve mbresëlënës të qendrës historike të Kozencës, nën hijen e kështjellës së shekullit XII, guida lokale Carmela Bilotto organizon një tur “për të njohur jetën e përditshme të vendit”.

Kjo zonë e qytetit, e pasur me histori dhe thesare të fshehura është edhe më e varfra dhe më pak e mirëmbajtura: kudo shihen ndërhyrje ristrukturuese për të mbajtur më këmbë ndërtesat e vjetra.

“Kalabria është e pasur me kontradikta, thotë Bilotto. – Mendoni për larmishmërinë e jashtëzakonshme që kemi mes maleve të Pollino, zonave të Aspromonte, ku flitet ende greqisht dhe komunitetet arbëreshe. Duhet të tregojmë atë që jemi me të vërtetë. Sigurisht, në Kalabri ka ende shumë probleme, por e gjithë kjo është pjesë e përvojës”.

 

Jeta rurale autentike

Cammino Basiliano

Një tjetër mënyrë e mirë për të njohur Kalabrinë autentike është të përshkoni Cammino Basiliano. Me pamje nga deti, fshati mesjetar Badolato është një nga ndalesat e udhëtimit. Rruga e gjatë 1.400 kilometra (870 milje), lidh 140 qytete në gjurmët e murgjve bazilianë, një urdhër greko-italian që ndoqi mësimet e Shën Vasilit (San Basilio).

Rruga përshkon majat e thyera dhe luginat e mrekullueshme, duke nxitur zbulimin e zonave më të thella, shpesh të lëna pas dore, dhe u jep punë 40 guidave lokale, duke vënë në hartë, në kuptimin e parë të fjalës, aktivitetet tregtare lokale, si vendet ku mund të hani dhe të qëndroni, të cilat mund të shkarkohen falas nga cilido që dëshiron të bëjë këtë ekskursion.

Sipas etnobotanistit Carmine Lupia, një nga themeluesit e Cammino Basiliano, ky lloj turizmi është “e vetmja rrugë” për Kalabrinë.

Relievi i thyer i rajonit, pjesa më e madhe e të cilit është i rrethuar nga male me akses të vështirë, kërkon ritëm më të ngadaltë. Duke promovuar trashëgiminë kulturore unike të Kalabrisë dhe një turizëm më të ngadaltë për ta jetuar, kjo pjesë e Italisë mund të tërheqë shumë shpejt turistë nga e gjithë bota.

*Benjamin Restle, Deutsche Welle