“Kaosi rrugor”! Në Shqipëri ndodhin 112 aksidente në muaj dhe aksidentohen 146 njerëz

“Kaosi rrugor”! Në Shqipëri ndodhin 112 aksidente në muaj dhe aksidentohen 146 njerëz

Aksidentet rrugore janë rritur me afro 33% në 6 mujorin e parë të vitit 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Sipas raportit më të fundit të Institutit të Statistikave, në periudhën janar – qershor 2021 janë shënuar 671 aksidente rrugore, nga 505 të ndodhura në periudhën e kufizimeve orare për shkak të situatës COVID (janar – qershor 2020).

Këto të dhëna tregojnë se mesatarisht, në Shqipëri ndodhin 112 aksidente në muaj dhe “preken” mesatarisht 146 individë në muaj. Kjo pasi totali i të aksidentuarve në janar – qershor 2021 rezulton 875 persona.

Nga ana tjetër, Instat tregon se në 6 mujorin e parë të 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 105 persona, nga 74 persona të vdekur në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

24 – 34 është grupmosha më “e shkujdesur” në timon, me numrin më të lartë të aksidenteve rrugore.

Jenida Vladi/ SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.