Bordi i Përkohshëm i KEK-ut miraton buxhetin e rishikuar

KEK-ut i kthehet në rivlerësim për herë të dytë tenderi 100 mijë eurosh

Për herë të dytë i është kthyer në rivlerësim Korporatës Energjetike të Kosovës tenderi për pajisje për menzë, vlera e të cilit ishte paraparë 100 mijë euro.

Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka vlerësuar se KEK-u nuk i ka respektuar në tërësi rekomandimet dhe as parimet bazë të prokurimit që lidhen me diskriminim apo favorizim të operatorëve ekonomikë të caktuar nga vendimi që kishte dalë në tetor të vitit të kaluar. Gjykata e tenderëve ka konstatuar shkelje edhe në vendimin e 12 janarit të këtij viti.

Operatori ekonomik “Hamiti Group” Shpk-Prishtinë si palë e pakënaqur kishte deponuar ankesë në OSHP kundër njoftimit për dhënie të kontratës për aktivitetin e prokurimit me titull “Furnizimi dhe montimi i pajisjeve për menzë” me nr. të prokurimit KEK-20-3392-1-2-1, iniuar nga Autoriteti Kontraktues (AK)-Korporata Energjetike e Kosovës. I njëjti pretendon se AK ka vepruar në kundërshtim me nenet 1, 7, 28, 59 dhe 72 të LPP-së, si dhe nenin 39 të RrUOPP-së.

Paneli shqyrtues në vendimi e datës 29.10.2020 përveç tjerash kishte potencuar se AK-KEK nuk kishte bërë vlerësim dhe krahasim të ofertave në pajtim me nenin 59 të Ligjit për Prokurim Publik (LPP) dhe i njëjti ishte anuluar në kundërshtim me nenin 62 të LPP-së.

“Rrjedhimisht është kërkuar që përmes rivlerësimit të aplikohen dispozitat e nenit 72, me qëllim që të kërkohen sqarime shtesë. Përveç kësaj, në të njëjtin vendim është potencuar se ‘Deklarata’, garancioni 24 muaj nuk është kërkesë e kualifikimit, por e impelementimit, por për çudi AK-KEK përsëri mosofrimin e garancionit e ka potencuar si arsyetim të eliminimit, përkundër faktit se OE ankues ka ofruar deklaratë se do t’i përmbahet kërkesave të aneksit 1”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimi të OSHP-së. Më 11 janar të këtij viti është mbajtur seanca dëgjimore pa praninë e palëve.

“Sa i përket arsyetimit të AK-së për eliminim ‘validiteti dhe sigurimit të ofertës’, Paneli shqyrtues sqaron se OE ankues kishte ofruar vazhdimin e validitetit dhe sigurimit të ofertës bashkë me ankesën”, thuhet tutje në arsyetim.

Sipas të njëjti, nuk qëndron arsyetimi tjetër i AK-së se parashutruesi i ankesës nuk ka ofruar pajisje INOX AISI 304. OE ankues ka kontestuar edhe ofertën e OE të rekomanduar për kontratë pas rivlerësimit të kontratave.

“Kontestohet pozicioni 1 dhe 2 i specifikacioneve tekike të detyrueshme, ku OE i rekomanduar nuk ka prezantuar certifikatën CE sipas përshkrimit në aneksin 1. Pajisjet janë prezantuar nga prodhuesi EMPERO dhe për këto dy pozicione është prezantuar vetëm një deklaratë e lëshuar nga vetë prodhuesi, nuk është prezantuar CE certifikatë. Rrjedhimisht AK-KEK nuk ka vlerësuar ofertën e të njëjtit siç e ka vlerësuar te parashtruesi i ankesës”.

Përfundimisht, Paneli shqyrtues sqaron se AK-KEK përmes rivlerësimit nuk i ka respektuar në tërësi rekomandimet e dala me vendimin paraprak dhe nuk janë respektuar parimet bazë të prokurimit që lidhen me diskriminim apo favorizim të operatorëve ekonomikë të caktuar.

“Paneli shqyrtues pas shqyrtimi të ankesave të lëndës, shqyrtimit të pretendimeve ankimore të OE ankues, konstatimeve, analizës konkrete dhe rekomandimeve të ekspertit shqyrtues/teknik, vjen në përfundim se Autoriteti Kontraktues gjatë rivlerësimit të ofertave nuk ka respektuar në tërësi rekomandimet e dala me vendimin paraprak dhe nuk janë respektuar parimet bazë të prokurimit që lidhen me diskriminim apo favorizim të operatorëve ekonomikë të caktuar”.

I njëjti Organ e ka miratuar si e bazuar ankesën e operatorit ekonomik “Hamiti Group” Shpk-Prishtinë kundër njoftimit për dhënie të kontratës pas rivlerësimit të ofertave, lidhur me këtë aktivitet të prokurimit dhe lëndën e ka kthyer në rivlerësim.

“Autoriteti Kontraktues në afat prej 10 ditësh duhet ta informojë me shkrim Panelin shqyrtues për të gjitha vperimet e ndërmara lidhur me këtë aktivitet të prokurimit.

Mosrespektimi i këtij vendimi, detyron Panelin shqyrtues që konform dispozitave ligjore të nenit 131 të Ligjit për prokurim publik të Kosovës nr. 04/L-042, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin 04/L-237, Ligjin 05/L-068 dhe Ligjin 05/L-092 të ndërmarrë masa ndaj Autoritetit Kontraktues”, thuhet në vemdimin e OSHP-së.

I njëjti e obligon AK-në që me rastin e rivlerësimit të zbatojë në tërësi dispozitat e LPP-së, si dhe të zbatojë konstatimet e dhëna në vendimet e Panelit shqyrtues. (Koha)