Këngë dashurie dhe shprese për ditët e mira të Prishtinës

Këngë dashurie dhe shprese për ditët e mira të Prishtinës

Një koncert me këngë dashurie për Prishtinën, të cilën e presin ditë më të mira. I tillë ishte koncerti “Sabriu i këndon Prishtinës”, që u mbajt të shtunën.

Këngëtari i njohur Sabri Fejzullahu i këndoi kryeqytetit, por edhe shqiptarëve anekënd botës, që e ndoqën virtualisht. I veshur me kostum të zi e të ndritshëm, Fejzullahu, i cili u rrit në kryeqytet dhe i këndoi të njëjtit ndër vite, për herë të parë mbajti koncert në një hapësirë të zbrazët. Pranë i qëndroi Fatjon Miftari, i cili e shoqëroi në piano.

Kësaj radhe ai nuk ishte i rrethuar nga publiku. Fejzullahu ia dha këngës në stadiumin e zbrazët të “Fadil Vokrrit”, që në situatë normale do të kishte vend për rreth 13 mijë njerëz. Qëkur Qeveria e Kosovës mori masat për parandalimin e aktiviteteve sportive e kulturore më 12 mars, asnjë ngjarje nuk është mbajtur aty.

Koncerti ishte edhe një homazh për figura të njohur të kulturës, artit e sportit, por Fejzullahu nuk la pas as mesazhet politike. E, më së shumti theksoi se koncerti është planifikuar që të zbusë pak dhimbjen që e ka kapluar vendin dhe të sjellë shpresën që shumë shpejt gjërat do të bëhen mirë.

Me dorëza të zeza, me të marrë mikrofonin në duar, këngëtari që i takon gjeneratës së vjetër të artistëve, ka thënë se është e dhimbshme të këndosh pa publik dhe në një situatë të tillë. E pati të vështirë që t’i gjente fjalët për ta përshkruar atë që ndiente. Ka thënë se kishte 30 minuta para se të niste koncertin që përpiqej që të koncentrohej, por as ajo nuk ia ka lehtësuar këtë situatë, shkruan KOHA.

“Asgjë nuk po dëgjohet në Prishtinë. Siç e dimë, jo vetëm në Kosovë por në të gjithë botën po luftohet në mënyrë paqësore dhe njerëzore me kronavirusin që na ka vërshuar”, ka thënë ai.

Ka shtuar se një koncert në stadiumin “Fadil Vokrri” e kishte menduar edhe më herët, por të mbushur plot me publik. Një kontrast i madh me pamjen që kishte përballë të shtunën.

“Atyre që i kanë humbur njerëzit e zemrës u shpreh ngushëllime nga zemra, jeta qenka e tillë, u lehtësofshin dhembjet e tyre! Jeta vazhdon. Ju përshëndes këtu nga stadiumi i Prishtinës, ku jam rritur e jam afirmuar, kam dashuruar e ku do të vdes një ditë. Nga kjo Prishtinë e thatë e zbrazët, por me shtëpi të mbushura plot, kudo që janë shqiptarët e nga kudo që po na shikojnë. Ju përshëndes nga loçka e zemrës”, ka thënë ai.

Por, para se të niste maratonën e koncertit që zgjati rreth 50 minuta me këngën e tij të parë “Tash jo” – që e ka kënduar për Radio Televizionin e Prishtinës në vitin 1967, profesionalisht me orkestrën e madhe simfonike – la edhe një mesazh politik.

“Garat që duhet t’i bëjmë politikisht, t’i vazhdojmë. Bëni gjithmonë pa ndalur por gjithmonë për të mirën e popullit shqiptar, për të mirën e këtij kombi shqiptar. Mjaft kemi duruar ne…”, ka thënë ai. “

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.