Kërkohet paraburgim ndaj tre të dyshuarve për vrasjen e mbrëmshme në Gjilan

Kërkohet paraburgim ndaj tre të dyshuarve për vrasjen e mbrëmshme në Gjilan – Lajmet e fundit



Mbrëmë në Gjilan është vrarë 50-vjeçari B.V., ndërsa policia ka arrestuar tre të dyshuar.

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar sot nga gjykata kompetente në Gjilan caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve F.O., G.B. dhe I.V., për shkak të dyshimit se me armë zjarri kanë privuar nga jeta tani të ndjerin B.V, transmeton Zeri.info.

“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit e sipërshënuar, më 12 shtator 2021, rreth orës 19:45 minuta, pas një përgatitjeje paraprake, në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të ndjerin B.V., duke e vënë në rrezik edhe jetën e personave e tjerë, të cilët kanë qenë afër tij, në atë mënyrë që së bashku kanë ardhur me një veturë të markës ‘Audi A3’ dhe janë ndalur te një market, ku nga aty të armatosur kanë dalë dy nga të pandehurit dhe me të arritur në vendin e ngjarjes i afrohen të ndjerit, i cili ishte ulur në një kafene në Gjilan, të cilët pastaj kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, ku për shkak të plagëve të marra i njëjti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit pas kryerjes së vrasjes janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime të njëjtët në bashkëkryerje dyshohen se kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Gjithashtu, të njëjtët dyshohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi në mënyrë të paautorizuar kanë mbajtur në pronësi armë zjarri. /Zëri