Këshilltari i Vjosa Osmanit thotë se projektligji për pandeminë është gati por miratimi i tij po pengohet

Këshilltari i Vjosa Osmanit thotë se projektligji për pandeminë është gati por miratimi i tij po pengohet – Lajmet e fundit



Projektligji për menaxhimin dhe parandalimin e pandemisë është i gatshëm që nga muaji prill, kështu ka deklaruar sot Artan Murati, këshilltar i kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani.

Sipas Muratit ky projektligj i cili që nga 11 qershorit është dërguar në Qeveri, fillimisht u bllokua në Kryesi të Kuvendit, për arsye që sipas tij ishin të pastërta politike, derisa ka shtuar se miratimi i tij është nevojë urgjente për trajtimin e pandemisë, transmeton Zeri.info

Ai ka thënë se projektligjin po e pengojnë partitë që tani janë në pushtet.

“Po shoh disa reagime ku fajësohet Kuvendi lidhur me mos-miratimin e ligjit për pandeminë. Ndonëse vendimmarrja në Kuvend është kolektive, në këtë rast, adresa e bllokimit të ligjit është e njohur.

Shkurt edhe shqip: Projektligji për menaxhimin dhe parandalimin e pandemisë është i gatshëm që nga muaji prill. Që atëherë, ky projektligji fillimisht u bllokua në Kryesi të Kuvendit (dihet nga kush), për arsye të pastërta politike, e që nga 11 qershori qëndron në sirtarët e Qeverisë, pavarësisht nevojës urgjente për trajtim të duhur të pandemisë. Ky projektligj është bllokuar nga subjekte politike që tani janë në pushtet”, ka shkruar Murati në facebook.

Murati ka rispërsëritur se pa një ligj për pandeminë, është veshtirë të menaxhohet situata.

“E ripërsëris: absolutisht nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore për ta menaxhuar dhe parandaluar pandeminë. Ju lutem lexoni vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Policia nuk mund të shqiptoj as gjoba në këtë situatë. Pyeteni policinë e ju njoftojnë edhe më mirë. Ligji është i nevojshëm, madje i domosdoshëm”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se në muajin prill Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka proceduar nismën legjislative rreth Projektligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në Kosovë dhe që nga atëherë pret miratimin në Kuvend./Zëri