Këto janë të gjitha vendimet që mori Qeveria në mbledhjen e sotme

Këto janë të gjitha vendimet që mori Qeveria në mbledhjen e sotme – Lajmet e fundit

Foto: Laura Hasani


Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, në të cilën ka miratuar dymbëdhjetë projektligje, tri nisma për lidhje të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe trembëdhjetë vendime të tjera.

Është miratuar projektligji për Institutin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë, që përcakton themelimin, organizimin, funksionimin dhe përcaktimin e kompetencave të Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, i cili do të funksionojë si Agjenci në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Me qëllim të themelimit të parimeve bazë, standardeve minimale të sigurisë, si dhe një sistemi unik për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar që kanë të bëjnë me interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës, u miratua Projektligji për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Me këtë ligj themelohet Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe përcaktohet misioni, organizimi, funksionimi, detyrat dhe përgjegjësitë e saj.

Në drejtim të reformave të sistemit prokurorial u miratua projektligji për Prokurorinë Speciale dhe ai për Prokurorin e Shtetit.

U miratua Projektligji për Sigurinë Kibernetike, që përcakton parimet e sigurisë kibernetike, institucionet që zhvillojnë dhe zbatojnë politikën e sigurisë kibernetike, përgjegjësitë e autoriteteve në fushën e sigurisë kibernetike, detyrat e subjekteve të sigurisë kibernetike në Republikën e Kosovës si dhe themelon Agjencinë për Siguri Kibernetike.

Qeveria miratoi edhe projektligjin për Tubimet Publike, atë për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me ligjin për procedurën e përgjithshme administrative.

Miratimin e qeverisë e morën edhe dy Projektligje për ratifikim të marrëveshjeve në mes të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrje të Kosovës në “Fiscalis”, Programi i Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Fushën e Tatimit, si dhe për pjesëmarrje të Kosovës në “Doganat”, Programi i Bashkimit Evropian për bashkëpunim në fushën e doganave.

U miratuan dy projektligje, ai për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëfinancimit për projektin Parku i Inovacionit dhe Trajnimit Prizren ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, si dhe ai për ratifikimin e marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2021.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për emërimin e drejtorëve të Bordit të Ndërmarrjes Publike Qendrore Kompania për Menaxhimin e Deponive, SHA.

Me vendim të miratuar në mbledhje është themeluar Komisioni për Ankesa për të Huajt, si dhe Autoriteti Qeveritar për Migrim.

Qeveria ka miratuar vendimin për themelimin e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi me qëllim të ndërtimit e koordinimit më të mirë të politikave, dhe avancimit të shërbimeve.

Është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, Masa 4.1 – Mbështetja e shëndetësisë, për pagat e specializantëve të rregullt dhe të atyre me vetëfinancim në periudhën shtator-dhjetor 2022.

Qeveria ka miratuar vendimin për shfuqizimin e vendimit për ndalimin e përkohshëm të eksportit dhe ri eksportit të produkteve themelore agro-ushqimore të datës 13 prill 2022. Bazuar në vlerësimin se ka përmirësim të situatës në furnizim me produktet esenciale ushqimore dhe të furnizimit me lëndën e parë në tregun e vendor, Qeveria miratoi këtë vendim për të evituar humbjet e bizneseve prodhuese në Kosovë.

Me qëllim të sigurimit të mjeteve për realizim të pesë projekteve kapitale në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara mes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryetarëve të komunave të Rahovecit, Lipjanit, Junikut, Suharekës dhe Mamushës, qeveria ka miratuar vendimin për rialokim të mjeteve financiare në MAPL.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe kërkesa e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për transfer të mjeteve në shumë prej 1.539.814 (një milion e pesëqind e tridhjetë e nëntë mije e tetëqind e katërmbëdhjetë) euro për projektin e Objektit të Teatrit dhe Operës si dhe mbrojtjen dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore.

Është miratuar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 17/92 të datës 10 gusht 2022, me të cilin plotësohet pozita e kryesuesit të Bordit të Drejtorëve në Ndërmarrjen Publike “Infrakos”, pas dorëheqjes së ish-kryesuesit të këtij bordi.

Qeveria ka ndryshuar dhe plotësuar, me qëllim të harmonizimit me legjislacionin evropian, vendimin për zbatimin nga Republika e Kosovës të Pakos së 6 të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë, në raport me situatën në Ukrainë.

Është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në vlerë prej 18 milionë eurove për zbatim të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, në kuadër të masës 2.5 – Ringjallja e fshatit përmes bujqësisë dhe agro-turizmit.

Ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe Programi për parandalimin dhe zvogëlimin e barrës administrative 2022-2027 dhe Plani i veprimit 2022-2024. Zbatimi i këtij programi dhe plani do të ulë koston dhe do të rrisë efikasitetin e subjekteve juridike, qytetarëve dhe bizneseve në Republikën e Kosovës.

Me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë, janë miratuar edhe masat obliguese për sektorin publik për kursimin e energjisë elektrike, që përfshinë 20 masa të ndryshme të cilat do të ndikojnë në përballimin e krizës energjetike.

Kanë marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe nismat për lidhje të marrëveshjeve ndërkombëtare:

– Nisma për lidhjen Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Hungarisë për Njohjen Reciproke të Patentë Shoferëve;

– Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit “Programi i Evropës Digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe

– Nisma për negocimin e Memorandumit të Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit për zbatimin e projekteve të infrastrukturës së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.