KFOR-i me prani të qëndrueshme në veri, thotë se operacionet nuk u janë prekur nga COVID-19

KFOR-i me prani të qëndrueshme në veri, thotë se operacionet nuk u janë prekur nga COVID-19 – Lajmet e fundit



Misioni i udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë, KFOR-i, po vazhdon të ofrojë një prani efektive në të gjithë vendin, pasi aftësia e tij për të kryer operacione nuk është minuar nga COVID-19.

Përmes një njoftimi për medie KFOR-i thotë se në pjesën veriore të vendit ushtarët e Komandës Rajonale të Lindjes po kryejnë veprimtari patrullimi dhe monitorimi, ndërsa Karabinierët e Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe mbeten vigjilentë në Mitrovicë, një ndër qytetet më të mëdha të rajonit, i banuar nga komunitetet shqiptare dhe serbe.

Edhe në mesin e pandemisë COVID-19 KFOR-i thotë se Karabinierët italianë po e mbajnë 24 orë në ditë me staf urën në lumin Ibër, ndërsa çdo ditë patrullimet nisin nga shtabi i MSU-së në Prishtinë dhe arrijnë në Mitrovicë duke kryer një varg detyrash.

“Karabinierët janë një prani e njohur për qytetarët e Mitrovicës në veri dhe në jug, pasi që ata u vendosën për herë të parë në zonë në vitin 1999, në fillim të operacionit të udhëhequr nga NATO-ja”, tregon koloneli Enio Simone, komandanti i MSU-së, duke kujtuar përkushtimin afatgjatë të njësisë së tij në Kosovë.

Duke treguar përvojën e tyre të gjatë dhe të gjerë si një forcë policore me status ushtarak në Itali dhe jashtë saj, në veçanti në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë, Karabinierët janë në gjendje të kryejnë një sërë detyrash, që përfshijnë kontributin në ndërgjegjësim të situatës, inteligjencës kriminale dhe kontrollit të turmave dhe trazirave si reagues të tretë së bashku me njësitë e tjera të KFOR-it.

Aktivitetet e MSU-së gjithashtu përfshijnë ndihmë të drejtpërdrejtë për familjet në nevojë, të cilat kryhen në tërë territorin e Kosovës me fonde kombëtare, në koordinim të ngushtë me seksionet vendore të Kryqit të Kuq.