Kina ul normën e kreditimit pas rezultateve zhgënjyese ekonomike dhe rritjes së infektimeve me Covid

Kina ul normën e kreditimit pas rezultateve zhgënjyese ekonomike dhe rritjes së infektimeve me Covid

Banka qendrore ndërhyn në treg, pasi ekonomia e dytë më e madhe e botës përballet me izolimet e Covid dhe problemet në tregun e pasurive të paluajtshme

Kina ka ulur normën e huadhënies në një përpjekje për të mbështetur rritjen ekonomike. Ekonomia e dytë më e madhe e botës është goditur nga izolimet e vazhdueshme për shkak të infektimeve me Covid dhe nga rënia e përkeqësuar në aktivitetin e tregut të pasurive të paluajtshme.

Të hënën, Banka Popullore e Kinës uli me 10 pikë bazë normën e huadhënies afatmesme, përmes së cilës ajo ofron kredi njëvjeçare për sistemin bankar, duke e ҫuar atë në 2.75 për qind dhe duke shënuar kështu uljen e parë të normave që nga muaji janar. Analistët e anketuar nga Bloomberg prisnin që banka qendrore ta mbante të pandryshuar këtë normë.

Vendimi nxorri në pah ankthin në rritje të Pekinit, teksa vendi përpiqet të përballojë rënien disamujore të kërkesës së konsumatorëve që ka ardhur si rrjedhojë e politikës zero-Covid, si dhe për shkak të mungesës së fondeve nga zhvilluesit e pronave dhe ngadalësimit të rritjes ekonomike globale.

Pavarësisht nga planet e Pekinit për të injektuar qindra miliarda dollarë në formën e stimujve për të nxitur rritjen, ekonomia e Kinës i shpëtoi për pak një rënieje gjatë tremujorit të dytë.

Statistikat zyrtare të publikuara të hënën pasqyruan përkeqësimin e aktivitetit të konsumatorëve dhe të fabrikave, në një kohë kur ritmi i rimëkëmbjes ekonomike të vendit pas izolimeve të Covid po pëson rënie.

Shitjet me pakicë, të cilat shërbejnë si një matës i rëndësishëm i konsumit, u rritën me 2.7 për qind në muajin korrik, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa prodhimi industrial, një nga nxitësit e rritjes ekonomike në fillim të pandemisë, ishte 3.8 për qind më i lartë. Analistët kishin parashikuar rritje prej përkatësisht 5 për qind dhe 4.6 për qind për këta indikatorë.

Papunësia e të rinjve arriti një rekord prej 19.9 për qind, duke ushtruar kështu më shumë presion mbi administratën e Xi Jinping për të rigjallëruar ekonominë.

Ekspertët presin që ngadalësimi ekonomik i Kinës të nxisë lehtësimin e politikës monetare dhe rritjen e stimujve fiskalë, por disa prej tyre janë pesimistë në lidhje me përmasat dhe shpejtësinë që do të ketë përgjigjja e Pekinit.

“Rritja e Kinës në gjysmën e dytë të vitit do të pengohet ndjeshëm nga strategjia e saj zero-Covid, nga rënia e madhe e aktivitetit në tregjet e pasurive të paluajtshme dhe nga një ngadalësim i mundshëm i trendit rritës të eksporteve,” tha Ting Lu, kryeekonomisti për kinën në Nomura. “Mbështetja e Pekinit mund të jetë shumë e vogël, shumë e vonuar dhe shumë joefikase.”

Analistët shtuan se ulja e normës së interesit ishte një sinjal i rëndësishëm që Pekini do të vazhdojë përpjekjet për të stimuluar ekonominë nëpërmjet politikës monetare, në vend që të fokusohet te kontrolli i rritjes së çmimeve, pasi Banka Popullore e Kinës vuri në dukje rreziqet e rritjes së presioneve të inflacionit në raportin e saj tremujor javën e kaluar.

“Mendoj se ulja e normës së huadhënies afatmesme është një mënyrë për të premtuar mbështetjen e vazhdueshme të Pekinit,” tha Jing Liu, kryeekonomist për Kinën në HSBC, duke shtuar se disa ekspertë kishin menduar se raporti i javës së kaluar do të përbënte “fillimin e shtrëngimeve monetare” në ekonominë e dytë më të madhe të botës.

Société Générale i përshkroi të dhënat e muajit korrik thjesht si “të këqija”, me ngadalësimin e prodhimit, të investimeve dhe të konsumit që kanë ardhur “si pasojë e peshës dërrmuese të politikës zero-Covid” dhe “si rrjedhojë e rënies së lirë të aktivitetit në sektorin e pasurive të paluajtshme”.

“Politikëbërësit kanë filluar të shfaqin shqetësimet e tyre për stimulimin e tepruar të ekonomisë nëpërmjet likuiditetit të lartë, ndërkohë që rreziku real është pikërisht i kundërti, në këndvështrimin tonë – lehtësimi shumë i vogël dhe rimëkëmbja shumë e dobët”, thanë analistët e bankës.

Politika e Xi për zero-Covid, në vazhdën e së cilës vendosen gjithmonë izolime tepër të rrepta kudo që zbulohet një vatër e virusit, po sjell akoma më tepër përkeqësime të perspektivës ekonomike.

Disa qytete kineze, duke përfshirë Haikou në ishullin jugor të Hainan, si dhe Urumqi në rajonin perëndimor të Xinjiang, kanë vendosur ose kanë zgjeruar kufizimet e izolimeve në disa zona, pasi rastet e infektimeve u rritën në mbarë vendin përgjatë fundjavës.

Izolimet në Hainan kanë shkaktuar protesta të vogla nga dhjetëra mijë udhëtarë që kanë mbetur të bllokuar në këtë destinacion turistik.

Në Shangai, autoritetet po testojnë përdorimin e dronëve për të monitoruar qytetarët, të cilët duhet të skanojnë kodet e tyre shëndetësore kur hyjnë në ndërtesa. Kodi shëndetësor regjistrohet në një aplikacion të detyrueshëm në celular dhe përcakton nëse individët mund të udhëtojnë bazuar tek ekspozimi i tyre ndaj Covid-19.

“Kina është padyshim në një situatë shumë të dëshpëruar,” tha Xingdong Chen, kryeekonomist për Kinën në BNP Paribas. “Problemi tani është mungesa e kërkesës efektive. Nëse nuk i lejon njerëzit që të dalin dhe të konsumojnë… atëherë nuk ka më kërkesë.”/ Financial Times