Kino Rinia, Rilindja dhe Hotel Grand dikur objekte shënjuese të identitetit kulturor, tani fati i tyre i papërcaktuar

Kino Rinia, Rilindja dhe Hotel Grand dikur objekte shënjuese të identitetit kulturor, tani fati i tyre i papërcaktuar

Era Berisha

Trashëgimia kulturore, historia e qytetit dhe aspekti arkitektonik mbi objektet e vjetra janë këto aspekte që u diskutuan në bisedën “Off the record: Objekte në harresë” në Kino Armata nga panelistët si: Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit Valon Tolaj dhe sociologia Linda Gusia, të cilët folën rreth kontributit dhe vlerat e objekteve që janë lënë të braktisura, të degraduara e të pashfrytëzuara si: Kino Rinia, Hotel Grand dhe Rilindja, që dikur ishin rol kyç në krijimin e ndjesisë së përkatësisë e që sot fati i tyre mbetet në duar të proceseve të ndryshme, fundi i së cilave nuk dihet, shkruan KultPlus.

Nën moderimin e kryeredaktores së K2.O, Besa Luci, e cila fillimisht foli rreth synimit që përmes artit dhe hulumtimeve kulturore të mobilizohen forcat në komunitet për shpëtimin e hapësirave të objekteve publike ku një numër i madh i tyre janë të braktisura apo të harruara dhe që njëkohësisht këto përpjekje të bashkohen në mënyrë që të inkurajohet angazhimi publik rreth qytetit e në veçanti rreth ndërtesave e objekteve që kanë potencial të vihen në shërbim të komunitetit e shpesh herë janë të rrezikuara apo i nënshtrohen procesit të privatizimit, nisi diskutimi rreth këtyre objekteve, deklaratave e premtimeve nga Qeveria për të transformuar procesin e privatizimit dhe vështirësive që ky proces sjell.

Është bërë e ditur se njëra ndër premtimet e Qeverisë ka qenë shuarja e Agjensionit Kosovar të Privatizimit ‘AKP’ dhe transformimit të procesit në përgjithësi ku në fakt një hap i tillë është ndërmarrë rishtazi me anë të shkarkimit të bordit të AKP-së dhe menaxhimi direkt i ndërmarrjeve shoqërore dhe pasurive të aseteve të tyre do të transferohen në fondin sovran që pritet të krijohet.

Duke pasur parasysh që 20 vitet e fundit është shpërfillur çështja se si ndërmarrjet e ndryshme shoqërore përveç funksionit apo potencialit ekonomik, shumica kanë edhe rol e funksion kulturor, ku me anë të tyre këto objekte u konsideruan edhe shënjues të identitetit të vendit tonë, kaluarës, kujtesës kolektive dhe të ardhmes tonë.

“E para është Rilindja, ku është cilësuar si mbretëreshë e ndërmarrjeve shoqërore dikur e kjo për shkak të rëndësisë që e ka pasur si forcë e dijës në gjuhën shqipe por edhe për kontributin që e ka vënë në luftën kundër analfabetizmit, përhapjen e pasurisë kulturore dhe lehtësimin e qasjes ndaj edukimit”, thotë Luci.

Sipas saj, Kino Rinia që dikur ishte kinemaja më e rëndësishme në qytet dhe që është cilësuar si interneti i gjeneratës së vitit 1970 për shkak të rëndësisë së saj që e shpërfaqte përmes filmave. Ndërsa, si objekt të tretë Luci përmendi Grand Hotelin, që është cilësuar si një objekt që mund ta përballojë çfarëdo tërmeti por që sot po i shkundet mbijetesa për shkak të privatizimit.

Qëllimi i bisedës së mbrëmshme ka marrë për bazë edhe mundësitë e humbura gjatë procesit të privatizimit dhe rëndësinë e mbrojtjes dhe kultivimit të kujtesës kolektive duke ruajtur funksionin kulturor të objekteve dhe ndërmarrjeve shoqërore në vrazhdën e premtimeve të transformimeve për procesin në përgjithësi. Andaj, rreth rëndësisë së ruajtjes të këtyre ndërtesave dhe rolit që ato kanë pasur dikur, pikërisht nga perspektiva e saj, ka folur sociologia Linda Gusia.

“Pikërisht fakti që jemi në Kino Armata, një hapësirë që është shpëtuar nga shkatërrimi, harresa e privatizimi duke u shndërruar në një hapësirë kulturore, tregon se si këto hapësira të përbashkëta janë qenësore për ndërtimin e shoqërisë tonë. Andaj, të gjitha organizatat e rezistencës janë një shpresë për shpëtimin e asaj se çfarë na ka mbetur”, thotë Gusia.

Ndërsa, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku foli rreth themelimit të fondit sovran dhe shpëtimin e hapësirave që kanë domethënie dhe potencial kulturor.

“Kërkesa ime për të gjithë që janë në angazhim është që së bashku të ndërtojmë një ‘case’ për ti bindur të tjerët në institucione që këto hapësira, disa prej të cilave do të trashëgohen nga AKP-ja në modelin e ri të organizimit, ia vlen për ti shndërruar në hapësira të shfrytëzuara nga komunitetet e ndryshme kulturore e të tjera”, thotë Çeku.

Sipas tij, ndonjëherë duhet të reduktohet vetëm qëndrueshmëria financiare sepse sektorët e tjerë mund të jenë konkurrentë në raport me pjesën kulturore por kjo duhet të vijë nga komuniteti në mënyrë që kultura të mos jetë barrë e buxhetit por të vijë në formën e industrisë dhe ekonomisë kulturore.

Po ashtu, drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj foli rreth ndjeshmërisë në lidhje me historinë dhe mënyrën se si janë trajtuar ndërmarrjet e ndryshme shoqërore, varësisht nga funksioni i tyre.

“Problemet janë të shumta por unë besoj që duhet të sqarojmë se objekti i Rilindjes dhe Kino Rinia nuk janë privatizuar. Kurse, Hoteli Grand si pasojë e dështimeve të ndryshme, fatkeqësisht është privatizuar sepse natyra e saj do të kishte një përfundim të njëjtë ku funksioni do të mbetej ajo e hotelit pa e ndërruar destinacionin dhe dizajni duhet të ishte në koordinim të plotë me Komunën”, thotë Tolaj.

Kjo bisedë ka ardhur në kuadër të serisë së bisedave “Off the record” që fondacioni Shtatëmbëdhjetë e ka filluar vitin e kaluar brenda projektit ‘Metamorphosis’. Po ashtu, ky aktivitet është organizuar me rastin e publikimit të artikullit multimedial ‘Fantazmat e privatizimit’ nga K2.0 brenda projektit “Citizens Engage”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar në bashkëpunim me Institutin GAP. / KultPlus.com