Kjo agjenci udhëtimi dëshiron që turistët të vizitojnë tani Ukrainën

Kjo agjenci udhëtimi dëshiron që turistët të vizitojnë tani Ukrainën

Të vizitosh Ukrainën në këtë moment, për të kuptuar se çfarë do të thotë të jetosh në mes të luftës, të shohësh qytetet e saj të bombarduara, të ndiesh rrezikun dhe të takohesh me ushtarët që luftojnë, me shumë gjasa nuk është në listën e dëshirave të askujt.

Por gjashtë muaj pasi Rusia ka pushtuar Ukrainën, duke shkaktuar shumë të vdekur dhe shkatërrime, një kompani fton turistët të vizitojnë vendin.

Muajin e kaluar, platforma online Visit Ukraine.Today ka nisur ture ditore të ashtuquajtura “Brave Cities” (Qytete të guximshme), që sfidojnë dhe vijojnë t’u rezistojnë pushtuesve rusë, duke u ofruar vizitorëve një tablo se si jeton vendi në mes të konfliktit.

“Nisuni menjëherë në një udhëtim në Ukrainën e mrekullueshme” – shkruhet në faqen e kompanisë turistike.

Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare që nuk e këshillojnë ta vizitoni Ukrainën, kompania thotë se ka shitur deri më tani 150 bileta, ndërkohë faqja web, ku jepen informacione se si të udhëtoni të sigurt nga dhe drejt Ukrainës, vizitohet nga 1.5 milionë vizitorë në muaj, me rritje 50% krahasuar me shifrat para pushtimit.

 

 

Turistët që rezervojnë udhëtimin, duhet të përgatiten se do të ecin mes rrënojave të shkaktuara nga bombat, ndërtesave të shkatërruara, katedraleve dhe stadiumeve, pajisjeve ushtarake të djegura, si dhe me dëgjimin e vazhdueshëm të sirenave të sulmeve ajrore. Minat tokësore janë gjithashtu një rrezik.

Edhe pse mund të duket një mënyrë e çuditshme për të kaluar pushimet, Anton Taranenko, themelues dhe CEO i platformës Visit Ukraine, shpjegon për CNN Travel se turet përfaqësojnë një mundësi për Ukrainën për të nxjerrë në pah shpirtin e sfidës së qytetarëve të saj dhe t’u tregojnë botës se jeta vazhdon, edhe gjatë luftës.

 

 

“Të jetosh jetën, pavarësisht gjithçkaje”

“Nuk bëhet fjalë vetëm për bombat, ajo që po ndodh sot në Ukrainë është edhe mënyra se si njerëzit po mësojnë të bashkëjetojnë me luftën, duke ndihmuar njëri-tjetrin. Ka një ndryshim, një shpirt i ri ndihet në rrugë”, – thotë ai.

“Ndoshta, në anën tjetër të rrugës, e cila është goditur së fundi nga një bombë, shihen miq që hanë ushqim të mirë tradicional në një lokal të hapur”.

“Jemi të lumtur për disa çaste, nuk ka vetëm gjëra të shëmtuara dhe të trishta si ato që shihen në televizor. Jeta vazhdon dhe ka ende shpresë që e gjithë kjo do të marrë fund shpejt. Fëmijët rriten, përpiqemi të jetojmë jetën sa më shumë të jetë e mundur, pavarësisht gjithçkaje”.

Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara ka dhënë aktualisht “niveli 4: mos udhëtoni” në Ukrainë, për shkak të pushtimit rus. Ai u bën thirrje qytetarëve të vet të largohen menjëherë nga vendi dhe thotë se, për shkak të pezullimit të operacioneve në ambasadën e saj në Kiev, nuk mund të ofrohet asnjë ndihmë konsullore.

Alarme të ngjashme janë dhënë edhe nga vende të tjera. Zyra për punë të jashtme dhe Commonëealth dhe Zhvillimi i Mbretërisë së Bashkuar paralajmëron se ekziston një “rrezik real për jetën” për shkak të sulmeve në qytete dhe rajone.

Megjithatë, Taranenko i fton njerëzit ta vizitojnë. “Nëse doni të shihni qytetet tona të shkatërruara dhe njerëzit e guximshëm që luftojnë, ejani menjëherë” – thotë ai.

Ai shton, se udhëtarët duhet të jenë të vetëdijshëm se asnjë vend në Ukrainë nuk është i sigurt 100 për qind, edhe pse duke pasur një guidë mund të ndihmojë në “zvogëlimin e rrezikut”.

“Ne kontrollojmë rregullisht situatën në mënyrë që të monitorojmë nivelet e ndryshme të sigurisë” – thotë Taranenko, duke theksuar se shumë ukrainas janë kthyer në zonat nga të cilat ishin larguar, veçanërisht në Kiev, për shkak të pushtimit”:

“Ukraina po ringrihet, njerëzit po kthehen në qytete, komunat po fillojnë të rindërtojnë, qytetet po e marrin veten nga tmerret dhe ka një milion të huaj në vend. Kievi është tashmë vendi më i vizituar dhe i sigurt” – thotë Taranenko.

Të vizitosh vendin, shton ai, do të thotë të shohësh në sy ukrainasit, jeta e të cilëve ka ndryshuar përgjithnjë, por të cilët jetojnë në pritje të fitores.

“Visit Ukraine” është vlerësuar nga qeveria për punën dhe mbështetjen e saj të industrisë së turizmit të vendit, i shkatërruar nga lufta, dhe ofrimin e informacionit për të ndihmuar qytetarët që vijnë dhe largohen. Por nuk ka asnjë miratim zyrtar për këtë nismë për të nxitur vizitorët.

“Tashmë është momenti i duhur për ta vizituar, por pas fitores dhe fundit të luftës do të ftojmë njerëzit të vizitojnë Ukrainën” – tha për CNN Mariana Oleskiv, presidente e Agjencisë Shtetërore për Zhvillimin e Turizmit në Ukrainë.

“Në nivel shtetëror, dëshirojmë që Ukraina të jetë e hapur ndaj turizmit, por për këtë kemi nevojë për më shumë armë, duhet të fitojmë dhe të ndalim luftën. Qëndrimi ynë zyrtar është të vizitoni Ukrainën kur të jetë e sigurt për ta vizituar, ndoshta do të jetë e mundur vitin tjetër, shpresoj”.

Oleskiv tha se turizmi brenda vendit ka rinisur në Ukrainë, duke arritur 50% të niveleve të paraluftës, pavarësisht luftimeve, por është shumë shpejt dhe tepër e rrezikshme për të huajt që të vijnë. Ajo tha se turet mund të rezervohen si mënyrë për të mbështetur industrinë e turizmit.

 

 

 “Si të hedhësh një zar”

Edhe pse në Ukrainë është vendosur ligji ushtarak dhe trafiku ajror është pezulluar, Taranenko thotë se vizitorët e huaj mund të hyjnë dhe të dalin lehtësisht nëpërmjet rrugëve tokësore, duke kaluar nëpërmjet pikave lindore të kontrollit të vendit me Europën. Edhe pse mund të udhëtosh, ekspertët e pavarur të sigurisë së udhëtimeve paralajmërojnë kundër tij.

Charlie McGrath, pronar i “Objective Travel Safety”, një shoqëri me seli në Mbretërinë e Bashkuar që trajnon njerëzit për zonat e luftës, thotë se edhe zonat e Ukrainës që duken të jenë të sigurta mund të përbëjnë një rrezik real.

“Bëj thirrje për kujdes maksimal për shkak të sulmeve të vazhdueshme të rastësishme ruse – thotë ai për CNN. – Edhe pse Ukraina perëndimore është relativisht e sigurt dhe jeta duket se vazhdon, në juglindje të saj është shumë e rrezikshme. Është si të hedhësh një zar”.

Sipas tij, vizitorët kanë nevojë të sigurohen mbi mbrojtjen që do t’u ofrohet gjatë turit dhe çfarë do të ndodhte nëse do të plagoseshin apo nëse guida e tyre do të vritej. Po ashtu ngrihen pyetje se cilat spitale dhe struktura lokale do të përfshiheshin.

“Do të këshilloja të mos ta bënit këtë gjë”,- thotë ai.

Taranenko thotë se, pavarësisht rreziqeve, ka njëfarë dëshire për të vizituar Ukrainën. Nga 150 biletat e shitura deri më tani, 15 janë blerë nga amerikanë.

Turi do të jetë i kufizuar në grupe me 10 persona. Udhëtarët do të takojnë guidat e tyre në pikat e marrjes dhe do të përgatiten se si të veprojnë në raste të situatave kritike, për shembull se si të gjejnë strehë nëse bien sirenat e alarmit.

“Të pasurit e një guide që njeh vendin dhe drejtimin e saktë se ku duhet të shkosh është një garanci – thotë ai. Nëse ecni vetë 10 metra në të majtë apo në të djathtë, mund të ndesheni me një minë apo bombë”.

“Për shembull, në zonën e Bucha-s ka pyje me bomba ende aktive që mund të shpërthejnë në çdo çast”.

 

 

“Jeta normale”

Turet ditore zgjasin 3-4 orë por mund të zgjerohen në varësi të kërkesave. Agjencia deklaron se të ardhurat që do të vijnë nga shitja e biletave do të shkojnë për të mbështetur refugjatët e luftës.

Oleksii Vlasenko, 32 vjeç, sipërmarrës udhëtimesh biznesi me seli në Kiev, deklaroi për CNN se ka marrë pjesë në një nga turet në korrik, duke vizituar disa qytete të shkatërruara nga konflikti. Ai tha se, edhe pse nuk u përball me ndonjë rrezik të dukshëm gjatë udhëtimit, ekzistonte një rrezik i qenësishëm.

“Natyrisht, rreziku ekziston gjithnjë duke qenë se lufta vazhdon, por besoj se tani është ndryshe. Njerëzit janë të interesuar të udhëtojnë për të parë shkatërrimin pas luftës. Megjithatë, nuk do t’ua këshilloja këtë udhëtim grave dhe fëmijëve, por të rinjve, pse jo? Në Kiev, Lviv, Bucha është rikthyer jeta normale, pavarësisht alarmeve të sirenave çdo ditë, nuk ka më ushtarë rusë”, thotë Vlasenko

Ndër turet e propozuara është një që quhet “Brave Cities” (Qytete të guximshme) që përfshin destinacione si “Bucha dhe Irpin, të forta dhe të pamposhtura”, dy vende pranë Kievit të cilat u shënjestruan brutalisht nga Rusia në ditët e para të luftës.

Ture të tjera përfshijnë “Kievi në një ditë”, “Udhëtim turistik në Lviv” dhe “Odesa, një perlë buzë detit”

Disa zona si Mariupol e Mykolaiv, nën kontrollin rus ose ende nën sulm të vazhdueshëm nga forcat ruse, mbeten off-limits për ture. Por Taraneko është optimist mbi faktin se do të ftojë turistët vitin tjetër, kur, siç thotë, shpresohet që lufta të ketë marrë fund.

/ CNN