2.7 milionë euro dëm nga tenderët - Institucionet shkelën me “të dyja këmbët” prokurimin dhe zbatimin e kontratave

KLSH: 694 milionë euro dëm ekonomik – Zbardhet raporti 2020: Abuzime me tenderat, me shpenzimet buxhetore dhe pronat publike

Për vitin 2020, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar 91 institucione publike duke konstatuar një dëm të konsiderueshëm prej afërsisht 694 milionë eurosh. Televizioni Scan ka zbardhur raportin zyrtar të KLSH për vitin 2020, ku institucioni konstaton Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën 85,8 miliardë lekë, nga e cila: 11,3 miliardë lekë në fushën e të ardhurave, afërsisht 91.9 milionë euro dhe 74,4 miliardë lekë afërsisht 602.2 milionë euro, në fushën e shpenzimeve.

Parregullsitë dhe paligjshmëritë e konstatuara, i referohen përdorimit të fondeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet në fushën e prokurimit public shoqëruar me mungesë kontrolli në realizimin e procedurave të prokurimit, të cilat në shumë raste rezultojnë të realizuara jo në përputhje me kuadrin ligjor. Një zë i rëndësishëm janë edhe shkeljet e disciplines buxhetore në likuidimin e faturave për shpenzime/investime, keqmenaxhimin e fondeve të programuara i cili është shoqëruar me krijimin e detyrimeve të prapambetura.

Parregullsitë dhe shkeljet më të mëdha me efekte të konsiderueshme konsistojnë në lidhje me administrimin e të ardhurave tatimore dhe jo tatimore; menaxhimin jo të kujdesshëm në procesin e përdorimit të fondeve publike; keqadministrimin e pronës shtetërore ndjekur nga paligjshmëritë procedurale dhe ineficencat në realizimin e procedurave të prokurimit publik. Niveli më I madh I shkeljeve është konstatuar fushën e shpenzimeve për investime me një total prej  38.2 miliardë lekësh.

Kontrolli i Lartë i Shtetit sqaron në raport se gjatë vitit 2020, auditimet kanë përfshirë vlerësimin e aktivitetit në 91 subjekte. Ato kanë përfshirë, institucione qendrore, ministri dhe agjenci (përfshirë drejtori qendrore dhe rajonale në varësi të tyre), njësi të vetëqeverisjes vendore (qarqe, bashki), drejtori të përgjithshme të administrimit fiskal, fonde speciale, si dhe shoqëri aksionare me capital shtetëror, në të cilën shteti ka mbi 50% të aksioneve, apo projekte me financim të huaj.

Lorenc Rabeta / SCAN

 

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.