Klubi i Prodhuesve kërkon që industria e prodhimit të shpallet sektor i rëndësisë nacionale

Klubi i Prodhuesve kërkon që industria e prodhimit të shpallet sektor i rëndësisë nacionale

Klubi i Prodhuesve sot në takim me kryetaren e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, paraqiti Rezolutën e Prodhimit, ku me anë të saj kërkon që industria e prodhimit të shpallet sektor i rëndësisë nacionale. Klubi kërkon nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës që të përkrahë ndërmarrjet prodhuese, me qëllim të rritjes së kapaciteteve të tyre. Po ashtu, kërkon nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës që rimëkëmbjen ekonomike të vendit ta bazojnë në fuqizimin e industrisë së prodhimit, si zgjidhjen e vetme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Kjo rezolutë
kërkon nga Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës që të rrisin buxhetin
për sektorin e prodhimit me qëllim të ofrimit të ndihmës financiare për
industrinë e prodhimit. Po ashtu, kjo rezolutë kërkon nga Qeveria e Kosovës do
të përkrahë dhe ndihmoj të gjitha ndërmarrjet prodhuese në përmbushjen e
standardeve të BE-së përkitazi me kualitetin e produkteve dhe kushteve të përcaktuara
në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, me qëllim që ndërmarrjeve t`u
lehtësohet eksportimi i prodhimeve vendore në BE dhe ndërmarrjet të bëhen
konkurruese në tregun e BE-së.

Kryetarja Osmani,
i falënderoi përfaqësuesit e Klubit të Prodhuesve për vizitën dhe shprehu
gatishmërinë që të përkrahë këtë rezolutë por edhe prodhuesit në përgjithësi.