Koleksionuesi pasionant i kartëmonedhave - KOHA.net

Koleksionuesi pasionant i kartëmonedhave – KOHA.net

Tavolina në zyrën e Gani Pajaziti nuk i ngjan një tavoline të zakonshme të zyrës. Pikërisht aty shtrihet pasioni i madh i tij. Me pedanteri ka renditur dhjetëra kartëmonedha që u përkasin shteteve të ndryshme. Mbi xhamin ku qëndrojnë ato, Pajaziti e lëviz gishtin sa te njëra kartëmonedhë, sa te tjetra.

Dy tavolina të punës e ajo e mysafirëve kanë marrë formën e një mozaiku kartëmonedhash – si të tilla të dërgojnë në përvojat e shteteve të ndryshme. Imazhe të ndryshme që përmbajnë ato e bëjnë tryezën të duket edhe më e veçantë. Vizitat si tregtar në shumë vende të Ballkanit para luftës ishin nxitja më e fortë për këtë. Pajaziti, që është marrë me tregti të veshmbathjeve, thotë se vetëm në Turqi ka udhëtuar mbi 300 herë me veturë.

Duke qenë se merrej me tregti, kartëmonedhat ishin mjeti kryesor me të cilin merrej atë kohë sa lëvizte nga një shtet në tjetrin. Shumë shpejt portofoli i tij morri ngjyrat e kartëmonedhave të vendeve të ndryshme. Aty edhe i lindi ideja që ta zhvillonte pasionin e tij prej koleksionuesi. Tash nga miqtë merr çdo herë dhuratë ndonjë monedhë të vjetër nga një vend jo dhe fort i afërt. “Çdoherë kur kam shkuar në ndonjë shtet e kemi ndërruar ndonjë para, sigurisht që të mbesin disa monedha. Kur m’u bënë disa, më lindi ideja që t’i mblidhja t’i kem kujtim se si kam qenë. Pastaj edhe miqve iu duk shumë interesante dhe më bënin dhurata monedha”, ka treguar Pajaziti, krejt në fillim të tregimit të tij. Sapo futesh në zyrën e tij në katin e dytë në ndërtesën ku zhvillon biznesin e tij, Pajaziti nuk ngurron dhe menjëherë e fillon muhabetin për monedhat. Kështu e ka me secilin vizitor. Se është koleksionues i pasionuar e dëshmojnë jo veç monedhat, por edhe gjësende të tjera që duket se janë goxha të vjetra. Në koleksionin e tij të kartëmonedhave thotë të ketë përfshirë monedha të 80 % të shteteve të botës.

“Kam monedha të shteteve arabe, Azisë, Evropës, Amerikës, Afrikës, Brazilit, Kinës etj”, rrëfen ai. Por një koleksion i veçantë përmban monedha të vlerës 20 centë, që përfaqësojnë të gjitha shtetet e Amerikës. Ato u përkasin vitit 1999 e deri në vitin 2009. Por një kuti e punuar prej drurit ka një histori goxha të veçantë. Në shprehjen e fytyrës së Pajazitit hetohet krenaria që e posedon një të tillë. Monedhat qysh në dukje tregojnë se janë goxha të vjetra. Derisa pjesa më e madhe e kartëmonedhave u përkasin shekullit të kaluar, ato në kuti janë gati 400 vjet të vjetra. Ato janë gjetur në një anije të përmbytur në Azi. Pajazitit ato i erdhën dhuratë nga një mik i tij.

“Janë monedha të viteve 1718, 1715, pra janë deri në 400 vjet të vjetra. Janë monedha që janë gjendur në një anije të përmbytur, pas 100 vjetëve, kur është gjetur anija, janë gjetur edhe monedhat unike”, ka rrëfyer Pajaziti për KOHËN.

Monedhat me të cilat tregtohej në kohën e ish-Jugosllavisë janë pjesë e koleksionit të tij e ato ngjallin nostalgjinë te shumë vizitorë në zyrën e tij. Duke ua treguar ato, Pajaziti ua kthen edhe kujtimet mysafirëve të tij. Pajaziti, përveç koleksionimit të monedhave, merret edhe me sportin e boulingut. Për shkathtësinë e tij në këtë sport ka fituar edhe disa medalje. Në vitin 2021 është zgjedhur kryetar i Federatës së Boulingut të Kosovës me mandat 4-vjeçar.

“Suksesi im më i madh është pjesëmarrja ime në kampionatin botëror të vitit 2016, kur e kam përfaqësuar Kosovën në Qubica. Në Bullgari e kam zënë vendin e tretë në grupin B”, ka treguar Pajaziti. Ai thotë se do të vazhdojë zhvillimin e dy pasioneve të tij që e përmbushin krahas jetës së tij profesionale si biznesmen.