Komuna e Obiliqit me vetëm një të infektuar me Covid-19

Komuna e Obiliqit me vetëm një të infektuar me Covid-19 – Lajmet e fundit



Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka bërë të ditur se prej katër mostrave të testuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në 24 orët e fundit, rezultatet kanë dalë negative, dhe se qyteti i Obiliqit rezulton të ketë vetëm një të infektuar me koronavirus, njofton Zeri.info.

“Ju njoftoj se nga katër mostrat e testuara në laboratorin e IKSHPK-së, raste kontakti me personin e infektuar me Covid-19, kanë rezultuar negative. Pra, në Obiliq kemi vetëm një rast me Covid-19”, shkruan Gashi në profilin e tij në Facebook.

Ai ka shprehur gatishmërinë që t’i ofrojë çfarëdo lloj ndihme personit të infektuar me COVID-19 duke i dëshiruar njëkohësisht shërim sa më të shpejtë.

“Ne, si shtab emergjent lokal, përmes ekipeve të QKMF-së dhe atyre të Stacionit Policor, jemi në gjendje gatishmërie të ofrojmë çdo lloj ndihme pacientit të infektuar dhe i dëshirojmë shërim sa më shpejtë”.

Mes tjerash, i pari i Komunës së Obiliqit u bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë nëpër shtëpi dhe t’i respektojnë masat e ndërmarra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.