Komunitetet bashkohen për ruajtjen e monumenteve dhe zejeve të harruara

Komunitetet bashkohen për ruajtjen e monumenteve dhe zejeve të harruara

Për njëzet e dy muaj Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë bashkë me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim i kanë trajnuar tridhjetë pjesëtarë të etnive që jetojnë në vend për t’i zhvilluar dhe mbrojtur zejet që kanë filluar të shuhen në Kosovë.

Gjatë këtij projekti këto institucione kanë bashkëpunuar edhe me disa zejtarë të Prizrenit për t’i avancuar punimet në filigran, për të vazhduar më pas me rapsodin e mjeshtrin Shaqir Hoti me qëllim që ta bëjnë sa më atraktiv tek të rinjtë instrumentin e lashtë muzikor, okarinën.

Projekti “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë kulturore” ka përfunduar të mërkurën mbrëma në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës në Prishtinë. Në këtë ceremoni janë prezantuar punime të ndryshme nga materiali i argjilës dhe filigrani e fotografi të shkrepura nga fotografi Arben Llapashtica në të cilat shpalosin një rrugëtim nëpër disa monumente të mbrojtura. Pjesë e veçantë ka qenë demonstrimi i zejeve aty për aty, e Hoti s’e ka lënë pa interpretuar në okarinë.

Arta Gazideda, udhëheqëse e Portofolit për Qeverisje të Mirë dhe Sundim të Ligjit në kuadër të UNDP-së në Kosovë, ka thëne se kjo ngjarje përmbyll ciklin e një projekti prej më shumë se një viti që është përkrahur nga institucionet ndërkombëtare për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të vendit.

“I kemi mbledhur tridhjetë anëtarë të komuniteteve që jetojnë në Kosovë me qëllim që t’i trajnojmë ata për zhvillimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të Kosovës. Fokusi ynë ishte të tentojmë të jetë në pah trashëgimia shpirtërore, do të thotë zejet që kohëve të fundit nuk janë aq interesante për banorët e Kosovës”, ka thënë Gazideda.

Projekti “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë kulturore” është zbatuar në përkrahje të Ministrisë së Kulturës.

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka thënë se rëndësia e këtij projekti është pasqyrë e diversitetit.

Zyra e Bashkimit Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim kanë ritheksuar se do të vazhdojnë përkrahjen për ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore dhe artefakteve të Kosovës.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)