Koncesioni i Aeroportit - Fitoi 20 milionë euro vitin e kaluar

Koncesioni i Aeroportit – Fitoi 20 milionë euro vitin e kaluar

Kompania koncesionare e Aeroportit të Tiranës ka shënuar një fitim të ri rekord për vitin 2019. Mbështetur në pasqyrat financiare të kompanisë, për vitin e kaluar Tirana International Airport (TIA) realizoi një fitim neto në vlerën e rreth 2.5 miliardë lekëve ose rreth 20 milionë eurove. Krahasuar me vitin 2018, fitimi përfundimtar neto i TIA është rritur me rreth 8%. Mbështetur në marrëveshjen koncesionare, shteti shqiptar përfiton 30% të fitimit vjetor neto që mund të shpërndahet, si tarifë koncesioni.

TIA ngelet një ndër kompanitë më fitimprurëse në ekonominë shqiptare. Norma e fitimit para taksave kundrejt xhiros vjetore ishte rreth 44%, nga rreth 48% që ishte në vitin 2018. Xhiroja vjetore për vitin e kaluar arriti në rreth 7 miliardë lekë, në rritje vjetore me gati 10%.

TIA ka qenë një ndër përfituesit kryesorë të rritjes prej shtatë vitesh radhazi të tregut të fluturimit të pasagjerëve në Shqipëri. Vitin e kaluar, nga Aeroporti i Tiranës udhëtuan mbi 3.3 milionë pasagjerë, 13% më shumë krahasuar me vitin 2018.

Monopoli i TIA-s për fluturimet ndërkombëtare ka qenë objekt i kritikave nga Autoriteti shqiptar i Konkurrencës, që ka rekomanduar heqjen e këtij monopoli dhe rishikimin e tarifave të shërbimit në këtë aeroport. Tarifat e larta të TIA vlerësohen si një faktor me ndikim të rëndësishëm në çmimet e biletave të kompanive ajrore që operojnë nga ky aeroport.

Sidoqoftë, pas shumë vitesh që “noton” në para, ky pritet të jetë ndoshta viti më i keq i TIA që nga marrja e koncesionit të Aeroportit të Tiranës. Mbyllja e kufijve dhe ndërprerja e fluturimeve për shkak të pandemisë së Covid-19 priten të sjellin një goditje të fortë financiare për TIA.

Ersuin Shehu / SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.