Rimëkëmbet tregu i fluturimeve - Korriku sjell rritje të udhëtarëve, por jemi larg normalitetit

Koncesioni i Rinasit shkon në Kuvend/ Zbardhet kontrata: Zgjatet pista, zgjerohet terminali. Tarifat paguhen vetëm për dalje

Konçesioni i aeroportit të Rinasit ka kaluar zyrtarisht te “Kastrati Group”. Transaksioni mes grupit më të madh në vend dhe kompanisë kineze që zotëronte deri më tani aksionet është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku specifikohet se “Kastrati Group” tashmë disponon 100% të aksioneve të shoqërisë “Tirana International Airport”, që menaxhon  konçesionin.

Sipas kontratës grupi Kastrati do të paguajë në total 71 milionë euro, të ndara në 2 këste, ku fillimisht do të bëhet një pagesë fillestare prej 15 milion euro dhe më pas një shumë prej 56 mln euro e konsideruar si shuma e mbylljes.

Për më shumë lexo:

Koncesioni i Rinasit kalon te “Kastrati group” – Ikin kinezët, transaksioni 71 milion euro regjistrohet në QKB

Për çfarë parashikohet të ndodhë me Aeroportin Ndërkombëtar ne Rinas?

Qeveria shqiptare ka depozituar në Kuvend për shqyrtim projektligjin për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së koncesionit për Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit. Në marrëveshjen e depozituar në Kuvend parashikohet zgjatja e afatit të koncesionit, skema e uljes së tarifave dhe një investim rreth 99 milionë euro.

Ky projektligj rregullon marrëdhënien e shtetit shqiptar me shoqërinë koncesionare për një nga asetet më të rëndësishme e strategjike të Republikës së Shqipërisë, aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Ky objekt koncesionar, gjatë kësaj periudhe, ka pësuar zhvillime dhe përmirësime të ndjeshme nga pikëpamja e infrastrukturës dhe shërbimeve të ofruara. Në vitin 2005, kohë e cila përkon edhe me fillimin e operimit të marrëveshjes së koncesionit, në aeroportin e Rinasit trajtoheshin rreth 785 000 pasagjerë në vit.

Menjëherë pas realizimit të investimeve të para dhe implementimit të politikave të tërheqjes së kompanive ndërkombetare të fluturimeve, numri i përpunimit të avionëve dhe pasagjerëve u rrit ndjeshëm. Në vitin 2019, që përkon edhe me vitin më të suksesshem të operimit të objektit të kontratës, aeroporti i ofroi shërbime më shumë se 3.3 milionë pasagjerëve, duke u konsideruar nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare vlerësuese, si një portë modeme për vendin, duke ndryshuar imazhin e Shqipërisë. Qe nga viti 2005, më shumë se 70 milionë euro janë investuar në zhvillimin e zgjerimin e aeroportit.

Amendimi i parë i kësaj marrëveshjeje daton me 1 prill 2016. Në këtë datë, qeveria shqiptare dhe TIA nënshkruan një amendament të marrëveshjes së koncesionit, duke ndërmarrë një hap shtesë të konsiderueshëm drejt zhvillimit të transportit ajror dhe liberalizimit të fluturimeve ndërkombëtare në Shqipëri. Si rezultat i këtij ndryshimi, afati i koncesionit të TIA-s u zgjat për 2 vite të tjera shtesë, përkatesisht deri në prill 2027. Në këto kushte, propozimi i ndryshimit që aspirohet të miratohet nëpërmjet ratifikimit do të jetë i dyti, por me një vlerësim investimi shtesë dhe një reduktim të tarifave për pasagjerë, që implikon edhe shtimin e afatit të marrëveshjes” shkruhet në relacionin e nismës ligjore të depozituar në Kuvend.

Rezultatet e pritshme

– Investimi në infrastrukturen e aeroportit me fonde 100% të shoqërisë koncesionare arrin rreth 99 milionë euro;

-Ulja e vlerës ekonomike të biletës për qytetarët që do të fluturojnë nga dhe drejt këtij aeroporti, duke reduktuar tarifat me 20% (për të rriturit) dhe 40% për fëmijët;

– Lirinë e hyrjes në tregun e shërbimeve në tokë

– Shndërrimin e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, që do të operojë avionë të kategorisë 4E, një kategori më e lartë se ajo aktuale, duke bërë të mundur për herë të parë lidhjen e drejtpërdrejtë me shtete, të cilat janë konsideruar strategjike për zhvillimin e ekonomisë së vendit.

Referuar relacionit të nismës ligjore, pojektligji nuk pritet të ketë problematika dhe efekte negative, pasi është një projektakt me karakter individual dhe thjesht miraton ndryshimin në marrëveshjen koncesionare, ndryshim, i cili është dakordësuar ndërmjet palëve dhe implementimi i të cilit parashikohet të sjellë vetëm impakt pozitiv, që afekton edhe në vlerën ekonomike të kalkuluar të objektit të kontratës, aeroportit “Nënë Tereza”, në momentin që ky aset do t’i rikthehet shtetit shqiptar për administrim, pas përfundimit të afatit të kontratës së koncesionit.

Si ndryshon kontrata koncesionare?  

Pika 2 e marrëveshjes lidhet me listimin e ndryshimeve që do të pësojë marrëveshja koncesionare pas ratifikimit të ndryshimit të saj me ligj. Këto ndryshime konsistojnë në:

-ndryshimin e afatit të marrëveshjes koncesionare, duke e zevendësuar afatin 22 vite me atë në 35 vite;

– shtimin në marrëveshjen fillestare të klauzoles 4.4.1 mbi bazë të së cilës listohen detyrimet shtesë që merr përsipër shoqëria koncesionare të realizojë në kuadër të planit të saj të investimeve;

-ndryshimin e një togfjalëshi në shkronjën “a”, të klauzolës 4.8, pasi, si pasojë e këtij togfjalëshi, shoqëria koncesionare nuk kishte vijuar me një nga detyrimet e saj, pikërisht atë të zgjatimit të pistës, pasi nuk ishte plotësuar kushti ligjor që po eliminohet nëpërmjet këtij ndryshimi. Tashmë, me këtë ndryshim, shoqëria koncesionare është e detyruar të vijojë me zgjatimin e pistës së aeroportit referuar parashikimit kohor të përcaktuar mes palëve;

-Zëvëndësimin e terminologjisë së përdorur për aplikimin e detyrimit ekonomik të personave që kalojnë kufirin e Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës kufitare pranë aeroportit nga “taksë kufiri në dalje” duke u zëvendësuar me “tarifa për kalimin me avion të kufirit të Republikës së Shqipërisë”;

-shtimin e një shtojce në marrëveshjen koncesionare, atë 6/1, ku përcaktohen investimet e reja shtesë që do të realizojë shoqëria koncesionare si rezultat i hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje dhe sanksionet për mospërmbushjen në kohë të tyre, me synim mundësinë e aplikimit të penaliteteve në rast të vonesës në realizimin e këtyre investimeve;

-shtimi i një neni lidhur me sigurimin e kontratës dhe parashikimet përkatëse për gjithë periudhën e mbetur të marrëveshjes së koncesionit;

-uljen e pagesave për shërbimet e aeroportit, pikërisht “Pagesa për pasagjerët”, e cila, pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, do të jetë 10 (dhjetë) euro për personat mbi 12 vjeç; dhe 3 (tre) euro për fëmijë nga 2 deri në 12 vjeç. Pagesa për pasagjerët do të jetë e pagueshme vetëm nga pasagjerët që largohen nga vendi”;

-zëvendësimin e kategorisë së aeroportit, ku fjala Code 4D është zëvendësuar me Code 4E;

-riafirmimin e së drejtës së shoqërisë koncesionare për të marrë kredi në institucione vendase dhe/ose të huaja financiare, me qëllim financimin e projektit, veçanërisht ndryshimet e përmirësimet e përcaktuara në planin e biznesit, kredi, e cila do të shlyhet nga shoqëria koncesionare;

-saktësimi lidhur me parashikimet për procedurën e miratimit të masterplanit të aeroportit, si dhe të përbërjes së Komitetit të Pavarur të Rishikimit.

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.