Konferencat përgatitore për gjykim në rastin e Gucatit e Haradinajt, në shtator

Konferencat përgatitore për gjykim në rastin e Gucatit e Haradinajt, në shtator – Lajmet e fundit



Trupi gjykues në çështjen e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, ka caktuar për muajin shtator konferencat përgatitore për gjykim.

Më 1 dhe 2 shtator, në orën 10:00,  pritet të mbahen konferencat përgatitore për gjykimin, në prani të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe të mbrojtjes.

Ndërkaq, në bazë të njoftimit në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, trupi gjykues gjithashtu ka vendosur të caktojë përkohësisht datat e konferencës përgatitore për Prokurorin e Specializuar, më 8 dhe 9 shtator 2021.

Konferenca përgatitore për gjykimin është e rregulluar me rregullën 117 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.