“Tenderat e tërmetit” – Kavaja dhe Lezha shpallin projektet në APP. Fondi dhe detajet

Kontributet për tërmetin, lehtësi fiskale – Vendimi: Ndihma me materiale e punë do u njihet bizneseve si shpenzim i zbritshëm

Çdo kontribut i dhënë nga bizneset në ndihmë të përballimit të pasojave të tërmetit të 26 nëntorit, qoftë në formën e materialave apo shërbimeve, do të njihet si shpenzim i zbritshëm mbi tatimfitimin. Është publikuar në Fletoren Zyrtare një vendim i Këshillit të Ministrave ka përcaktuar çfarë do njihet si kontribut në natyrë dhe si do llogaritet si shpenzim i zbritshëm.

Kontributet do të ndahen në dy kategori të veçanta: a) materiale ndërtimore ose mallra e pajisje që shërbejnë për rindërtimin ose rehabilitimin e objekteve dhe ambienteve në funksion të procesit të rindërtimit; b) shërbime (punë) të ndryshme që do të ofrohen nga donatorë, subjekte private e shtetërore, të huaj ose vendas, me qëllim ndërtimin e objekteve ose ambienteve përreth tyre, që janë pjesë e programit të miratuar nga Komiteti Shtetëror i Rindërtimit.

Do të jetë Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ajo që do marrë në dorëzim kontributet dhe do informojë periodikisht Komitetin Shtetëror të Rindërtimit për çdo kontribut në natyrë, nga operatorë ekonomikë që ushtrojnë veprimtari ekonomike në Republikën e Shqipërisë, të marra në dorëzim, sipas përcaktimeve të këtij udhëzimi, u njihen subjekteve përkatëse si shpenzime të zbritshme mbi tatimfitimin. Kontributet nga operatorë apo subjekte që nuk ushtrojnë veprimtari në Republikën e Shqipërisë, AKMC-ja u lëshon vërtetim për kontributin e dhënë, për efektet e veta financiare në vendin e origjinës.

Kushtet dhe procedurat për njohjen e kontributeve si shpenzime të zbritshme, zbatohen në përputhje me parashikimet në legjislacionin fiskal. Nëse këto shërbime nuk janë parashikuar në manual dhe operatori nuk ka fatura të ngjashme në gjashtëmujorin e fundit, vlera mund të llogaritet nga fatura me të njëjtin zë nga operatorë të ngjashëm, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Lorenc Rabeta / SCAN

 

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.