Kosova me “hat trick” në Sarajevë, konfirmon nivelin e filmit vendor

Kosova me “hat trick” në Sarajevë, konfirmon nivelin e filmit vendor

Vlerësimi i bërë ditë më parë në Festivalin Ndërkombëtar të Cannes për Kosovën si “vend me potencial të madh kineast”, është provuar të jetë plotësisht i saktë. Tri projekteve kineaste u është hapur dera në një nga festivalet më të rëndësishme të filmit në rajon: regjisorët Norika Sefa, Luana Bajrami dhe Samir Karahoda janë emrat që e përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Sarajevës.

Lajmin e ka bërë të ditur Qendra Kinematografike e Kosovës pasditen e së enjtes nëpërmjet një afishimi në faqen e saj.

“Tre filmat nga Kosova, ‘Në kërkim të Venerës’ me regji nga Norika Sefa, ‘Luaneshat e Kodrës’ me regji nga Luana Bajrami dhe ‘Pa Vend’ me regji nga Samir Karahoda, do të jenë pjesë e konkurrencës zyrtare të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Sarajevës”, thuhet në njoftim.

QKK: “Prezencë e madhe e filmbërësve tanë”

Sukseset e këtyre tre filmave në garë janë ende të freskët, sipas QKK-së, pasi filmi “Në kërkim të Venerës” fitoi Çmimin Special të Jurisë gjatë premierës në Rotterdam, kurse “Luaneshat e Kodrës” dhe “Pa Vend” patën premierat e tyre në edicionin e paradoditshëm të Festivalit Ndërkombëtar të Cannes.

“Kjo do të jetë prezencë e madhe e filmbërësve tanë, ku vitin e kaluar Kosova rrëmbeu ‘Zemrën e Sarajevës’ me filmin ‘Exil’ të regjisorit Visar Morina. Tre filmat janë mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës”, përfundon kumtesa e lëshuar nga QKK-ja.

Një total prej 47 filmash do të garojnë në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Filmit në Sarajevë (SFF) në katër kategoritë e tij. Të enjten ky festival ka bërë të njohur listën e plotë të filmave garues për edicionin e 27-të që hap siparin më 13 gusht. Të përzgjedhur prej 683 aplikimesh nga mbarë bota, 47 filmat aspirojnë çmimin “Zemra e Sarajevës” në kategoritë e Filmit Artistik, Filmit Dokumentar, Filmit të Metrazhit të Shkurtër dhe Filmit Studentor.

Më interesantja garë është ajo për Filmin Artistik, ku mes nëntë pretenduesve janë dy premiera nga regjisorë që ia bëjnë sefte: është fjala për filmin “The Elegy of Laurel” nga Dushan Kasalica (Mali i Zi/Serbia) dhe “Things Worth Weeping For” nga Cristina Grosan (Hungari).

Një dhjetëshe sfiduese

Është pikërisht kjo kategori ku garojnë tok edhe dy filmat nga Kosova: “Luaneshat e kodrës” i Luana Bajramit dhe “Në kërkim të Venerës” nga Norika Sefa.

Siç bëhet e ditur nga SFF-ja, në këtë kategori janë edhe filmat: “Bebia, à mon seul désir” nën regjinë e Juja Dobrachkous (Gjeorgji/Britani e Madhe); “Celts” nën regjinë e Milica Tomoviq (Serbi); “Great Freedom” nën regjinë e Sebastian Meise (Austri/Gjermani); “Moon, 66 Questions” nën regjinë e Jacqueline Lentzou (Greqi/Francë) dhe “Murina” nën regjinë e Antoneta Alamat Kusijanoviq (Kroaci/Brazil/ShBA/Slloveni).

Të gjithë këta filma që janë në garë për çmimin në vlerë prej 16 mijë eurosh do të vlerësohen nga juria e kryesuar nga aktorja Jasna Gjuriçiq, e në përbërje të së cilës janë edhe Mike Cahill (regjisor dhe skenarist), Lili Horvát (regjisore dhe skenariste), Eva Sangiorgi (drejtoreshë artistike e Viennales) si dhe Martin Schweighofer (drejtor ekzekutiv i Austrian Film Comission).

Krapi: “Tre filma si ambasadorë”

Besnik Krapi, producent i filmit “Në kërkim të Venerës”, ka thënë se nuk është pak të jesh në konkurrencë zyrtare në Sarajevë. Në një prononcim për KOHËN, ai e ka cilësuar këtë si një sukses për të cilin ndihet “jashtëzakonisht mirë”.

“Më e bukura është që Kosova tashmë po triumfon me ‘diplomacinë artistike’. Ne mund të kemi viza, sepse s’na i njohin pasaportat, por janë tri projekte, rrjedhimisht tri vepra (ambasadorë) të Kosovës në Sarajevë”, ka thënë Krapi të enjten.

Sipas tij, pjesëmarrja e Kosovës me tri premiera në po të njëjtin edicion është sukses për kinematografinë vendore.

“Ky standard tashmë është krijuar ndër vite me punë të lodhshme e buxhete të vogla, por shpresojmë që sukseset të kthehen në vendime për përkrahje më të madhe për kinematografinë e artin në përgjithësi”, ka theksuar producenti Krapi.

Me regji dhe skenar të Norika Sefës, filmi i metrazhit të gjatë “Në kërkim të Venerës” qendërzohet rreth tinejxherës fjalëpakë, Venera, e cila jeton në një qytezë në Kosovë. Drama ndjek përplasjet mes tre brezave në shtëpinë e saj që nuk i ofron dot kurrfarë privatësie.

Çmimi i “Aktores më të mirë” për Kosovare Krasniqin në Festivalin e Filmit në Valencia, në qershor të këtij viti, është vetëm një nga triumfet e këtij filmi që e kanë përcjellë gjatë gjithë këtij viti. “Në kërkim të Venerës” fillimisht debutoi në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam, ku mori Çmimin Special të Jurisë. Më pas u nderua me dy çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Hong-Kongut, për Regjinë më të mirë dhe për Aktoren më të mirë.

Ky film është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Agjencia për Film e Maqedonisë së Veriut me producent Besnik Krapin i prodhuar nga Circle Pruduction dhe me bashkëproducent Igor Popovskin dhe Gazmend Nelën.

Karahoda: “Një vit i veçantë për kinematografinë tonë”

I sapokthyer nga Festivali i Cannes, filmit të regjisorit të Samir Karahodës “Pa Vend” nuk i janë ndarë sukseset. Sado që nuk e mori “Palmën e Artë” në konkurrencë me nëntë filma të tjerë në kategorinë e filmave të shkurtër, filmi nga Kosova, megjithatë, është zgjedhur si kandidati i Festivalit të Cannes për “European Film Awards”.

E sfida e radhës, në Festivalin e Sarajevës, e vë atë sërish në mesin e dhjetë filmave të po të njëjtës kategori. Sipas njoftimit të afishuar nga SFF, filmi nga Kosova do t’i ketë përballë edhe këta filma: “Brutalia, Days of Labour” nën regjinë e Manolis Mavris (Belgjikë/Greqi); “Everything Ahead” nën regjinë e Mate Ugrin (Kroaci/Francë); “From The Balcony” nën regjinë e Aris Kaplanidis (Greqi); “Heartbreath” nën regjinë e Azer Guliev (Azerbejxhan); “Intercom 15” nën regjinë e Andrei Epure (Rumani); “North Pole” nën regjinë e Marija Apchevska (Maqedoni e Veriut/Serbi); “Penalty Shot” nën regjinë e Rok Biček (Kroaci/Slloveni/Austri); “Solo Mode” nën regjinë e Tamara Kotevska (Maqedoni e Veriut/Turqi/ShBA) dhe “Steakhouse” nën regjinë e Špela Čadež (Slloveni/Gjermani/Francë).

Duke folur për pjesëmarrjen në Festivalin në Sarajevë, regjisori Samir Karahoda ka thënë se kjo është një përvojë jashtëzakonisht e veçantë.

“As nuk e kam paramenduar një fillim më të mirë për rrugëtimin e filmit”, ka thënë Karahoda teksa ka shfaqur shpresën që “Pa Vend” do të ketë një rrugëtim të gjatë e të suksesshëm në muajt në vijim.

Regjisori 44-vjeçar nga Prizreni, teksa ka përgëzuar edhe dy koleget nga Kosova, Luana Bajrami dhe Norika Sefa, ka thënë se ky është një sukses që duhet vlerësuar, madje, sipas tij, “është diçka e jashtëzakonshme ajo që po ndodh këtë vit”.

“Mendoj se ky vit është vit i artë për kinematografinë e Kosovës dhe ajo çka na duhet është ta mbajmë këtë sukses edhe në vitet në vazhdim”, ka theksuar Karahoda.

Një event ku po rritet prania e Kosovës

Përndryshe, në edicionin e vjetëm të këtij festivali, “Zemra e Sarajevës” iu akordua për herë të parë një kineasti nga Kosova. Sipas jurisë, filmi “Exil”, nën regjinë e Visar Morinës, u shpall fitues i çmimit kryesor që bashkëfinancohet edhe nga Asociacioni i Turizmit në kantonin e Sarajevës.

Por “Exil” nuk ishte i vetmi: në garën kryesore, atë të filmit më të mirë, debutoi regjisorja More Raça me filmin e metrazhit të gjatë “Galaktika e Andromedës”; filmi “Vera andrron detin” nën regji të Kaltrina Krasniqit në programin “Cinelink – Work in Progress”, si dhe filmi i Antoneta Kastratit “Zana” në programin jogarues “In Focus”.

Përndryshe, Festivali i Filmit në Sarajevë cilësohet si eventi më i madh i filmit në Evropën Juglindore dhe një prej më të mëdhenjve në Evropë. Historia e tij nisi më 1995, pikërisht kur Sarajeva mbahej e rrethuar nga forcat ushtarake serbe.

Edhe në një situatë të rëndë lufte, edicioni i parë me filma nga 15 vende të botës ishte përcjellë nga 15 mijë njerëz. Festivali tash zë vend në Teatrin Kombëtar të Sarajevës, përballë të cilit ndodhet sheshi i festivalit ku shtrohet tepihu i kuq. Shfaqjet e filmave mbahen në “Metalac”, Qendrën Kulturore Boshnjake, si dhe në pesë kinema të tjera dhe lokacione projeksioni gjithandej kryeqytetit. Në tepihun e kuq të Festivalit të Sarajevës kanë parakaluar edhe yje të njohur të botës së filmit si Angelina Jolie, Brad Pitt, Robert De Niro, Orlando Bloom, Morgan Freeman, Gerard Depardieu, Benicio del Toro, e të tjerë.